Tech Top Tech - News

Katër astronautë në rrugë drejt Hënës në misionin më të rëndësishëm që nga Apollo!

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

U RIKTHYEM NË HËNË… pas 53 vitesh.
Dhe këtë herë, jo për nostalgji, por sepse njerëzimi duket se ka një zakon të çuditshëm: sa herë mërzitet në Tokë, shikon lart dhe thotë “po sikur të shkojmë edhe pak më larg?”
Më 1 prill, NASA nisi misionin historik Artemis II, duke dërguar katër astronautë drejt një fluturimi rreth Hënës. Dhe jo, nuk është një “trip romantik me pamje nga krateret”—është prova më serioze që kemi bërë që nga epoka Apollo për t’u rikthyer realisht atje.
Sot jemi në ditën e katërt të misionit, dhe ekipi është tashmë në trajektoren drejt Hënës. Në bord janë Reid Wiseman, Victor Glover, Christina Koch dhe Jeremy Hansen—një ekip që, përveçse po fluturon me rreth 40,000 km/h, po vendos edhe rekorde historike. Pra ndërkohë që ti ankohesh për trafikun te “Rruga e Durrësit”, këta po bëjnë parkim paralel në hapësirë.
Çfarë ka ndodhur deri tani?
Anija Orion ka kaluar testet kritike në orbitën e Tokës, ka verifikuar sistemet jetike (po, edhe “tualetin në hapësirë”, që është gjithmonë moment delikat), dhe tani është në rrugën klasike “shko, bëj xhiron dhe kthehu”—por në versionin më ekstrem të mundshëm.
Ky mision nuk zbret në Hënë. Është më shumë si ai shoku që shkon në Itali, bën foto nga jashtë dhe kthehet… por në këtë rast, po përgatitet terreni që njerëzit të zbresin realisht në vitet e ardhshme.
Pse ka rëndësi?
Sepse është hapi i parë drejt rikthimit të njerëzimit në Hënë në 2028. Me pak fjalë: ky është traileri. Filmi i madh po bëhet akoma.
Dhe le ta themi troç: pas 53 vitesh, njerëzimi nuk po rikthehet thjesht ne Hëne… po rikthehet te ideja që “asgjë nuk është mjaftueshëm larg.”