Gossip

Katy Perry refuzon propozimin për martesë? Nga kush?

Në një moment të papritur dhe krejtësisht të pazakontë, Katy Perry ka konfirmuar zyrtarisht lidhjen e saj me ish-kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau.

Gjatë koncertit të saj të fundit në Pragë, këngëtarja 41-vjeçare iu përgjigj një fansi që i propozoi martesë nga turma, me një përgjigje që ndezi menjëherë rrjetet sociale.

Në një video që po qarkullon gjerësisht në TikTok, Perry mund të shihet duke buzëqeshur dhe refuzuar propozimin me humor:

Jo! Po dal me dikë tjetër

-u përgjigj ajo, ndërsa publiku shpërtheu në brohoritje dhe duartrokitje.

Ky moment vjen vetëm pak ditë pasi Perry dhe Trudeau u panë për herë të parë publikisht si çift, gjatë një nate në kabarenë ikonike Crazy Horse në Paris, ku festuan ditëlindjen e këngëtares.

Një burim i afërt me çiftin i tha “Page Six” se Trudeau është “i çmendur pas saj” dhe e sheh këngëtaren si “gruan e përsosur”.

Spekulimet për një romancë mes tyre nisën që në korrik, kur ata u fotografuan duke darkuar në restorantin luksoz “Le Violon” në Montreal.

Më pas, Trudeau u pa në rreshtin e parë të koncertit të Perry-t në Bell Centre të Montrealit, duke i dhënë më shumë peshë thashethemeve për një lidhje në zhvillim. Pak javë më vonë, çifti u fotografua sërish së bashku në Kaliforni, duke kaluar një ditë romantike në jaht pranë Santa Barbarës.

Megjithëse shumë fansa janë entuziazmuar për këtë çift të papritur, disa burime pranë ish-kryeministrit e kanë cilësuar lidhjen si “një mënyrë për të përqafuar krizën e moshës së mesme”.

Të dalësh me Katy-n mund të jetë për Justin-in ajo që është Burning Man për njerëzit e zakonshëm, një mënyrë për t’u ndjerë sërish i ri

-tha me humor një burim për “Page Six”.

Trudeau dha dorëheqjen si Kryeministër në janar, pas një dekade në detyrë, ndërsa në gusht 2023 shpalli fundin e martesës 18-vjeçare me Sophie Grégoire-Trudeau.

Nga ana tjetër, Perry i dha fund fejesës së gjatë me aktorin Orlando Bloom në qershor të këtij viti, pas gati dhjetë vitesh bashkë.

Tani, duket se si këngëtarja ashtu edhe ish-kryeministri kanë zgjedhur të nisin një kapitull të ri në jetë, dhe ndoshta një histori dashurie që askush s’e priste.