Aktualitet Politikë

Keir Starmer në Tiranë, e para vizitë si kryeministër i Britanisë së Madhe!

Mes liderëve europianë, Tiranën e viziton edhe Keir Starmer, në të parën vizitë në vendin tonë si kryeministër i Britanisë së Madhe. Fillimisht do të ketë një takim me homologun Rama, për të vijuar me bisedimet mes dy delegacioneve. Ndërmjet dy qeverive do të nënshkruhet edhe një marrëveshje për të rritur bashkëpunimin e partneritetin. Po ashtu pritet një konferencë për mediat.

Rreth orës 13:00, shefi i ekzekutivit të Londrës do të zhvillojë një vizitë në Muzeun e Forcave të Armatosura dhe Qendrën e Inovacionit, Sigurisë e Mbrojtjes. Në axhendë ka edhe një takim me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj. Ndërkaq, sot kreu i shtetit do të presë tre delegacione.

Në orën 10:30 takon Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer dhe delegacionin që e shoqëron.

Më pas, në orën 12:00, Presidenti Begaj pret Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE, Feridun Sinirlioğlu, dhe delegacionin që e shoqëron.

Pak orë më vonë, më 15:30 kryetari i shtetit ka një takim Presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, si dhe delegacionin që e shoqëron.

Ditën e sotme, liderët europianë dhe ata të Ballkanit Perëndimor vijnë në Shqipëri në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Europian të 16 majit në Shtëpinë e Europës, të zhvendosur te Sheshi Skënderbej në kryeqytet.

Masat policore për të garantuar samitin e Komunitetit Politik Europian blindojnë Tiranën. Deri në mesnatë, për shkak të lëvizjes së delegacioneve ka bllokime nga Rinasi në Thumanë-Kashar – në Durrës-Tiranë. Po ashtu, devijim te ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Re krahu i Astirit, rruga e liqenit drejt Rrethrrotullimit të Saukut-Rruga e Elbasanit deri te Hotel “Plaza” dhe të gjitha rrugët që ndodhen përreth hotelit, sheshit Skënderbej.