Health & Beauty

Kërcënim i heshtur nga klima në ndryshim, alergjitë në rritje!

Ndryshimet klimatike po rrisin ndjeshëm sasinë e polenit në ajër dhe po zgjasin sezonin e alergjive, duke i bërë simptomat më të forta dhe më të gjata për shumë njerëz. Temperaturat më të rritura dhe nivelet më të larta të dioksidit të karbonit stimulojnë bimët të prodhojnë më shumë polen, ndërsa pranvera nis më herët e vera zgjat më shumë.

Si rezultat, personat që vuajnë nga alergjitë sezonale përballen me ekspozim më të gjatë e më intensiv ndaj alergjenëve.

Një nga shembujt më ekstremë të këtij fenomeni është i ashtuquajturi “astma nga stuhitë”, ku ato shpërbëjnë grimcat e polenit në pjesë shumë më të vogla dhe më të rrezikshme për frymëmarrjen.

Poleni ngrihet në atmosferë nga erërat e forta, përzihet me lagështinë dhe energjinë elektrike të stuhisë e më pas bie përsëri në tokë në formë grimcash mikroskopike që depërtojnë më lehtë në rrugët e frymëmarrjes.

Një rast tragjik ndodhi në Melburn të Australisë më 21 nëntor 2025, kur një stuhi e tillë shkaktoi një valë të paprecedentë krizash të frymëmarrjes. Shërbimet emergjente u mbingarkuan, spitalet u përballën me shumëfishim të pacientëve me probleme respiratore e 10 persona humbën jetën.

Edhe persona që nuk kishin histori astme u prekën rëndë nga kjo dukuri. Poleni është një pjesë thelbësore e ciklit të jetës së bimëve, pasi mundëson riprodhimin e tyre.

Megjithatë, shumë bimë, sidomos barërat, pemët e disa lloje si ambrozia, përhapin polenin përmes erës në sasi shumë të mëdha. Kur sistemi imunitar e identifikon gabimisht këtë polen si kërcënim, ai shkakton reagime alergjike si teshtima, rrjedhje hundësh, kruarje sysh e në raste më të rënda, vështirësi në frymëmarrje.

Shkencëtarët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike jo vetëm që po rrisin sasinë e polenit, por edhe po ndryshojnë llojet e tij dhe kohën kur shfaqet. Në disa rajone të SHBA-ve e të Evropës, sezoni i polenit nga ambrozia është zgjatur me javë të tëra gjatë dekadave të fundit.

Kjo do të thotë që më shumë njerëz do të përjetojnë simptoma për periudha më të gjata çdo vit. Megjithëse fenomenet ekstreme si “astma nga stuhitë” mbeten të rralla, rreziku i përgjithshëm nga alergjitë është në rritje.

Kombinimi i niveleve më të larta të polenit, sezonesh më të gjata e motit ekstrem, po krijon kushte më të vështira për personat me alergji dhe probleme respiratore, duke e bërë këtë një sfidë në rritje për shëndetin publik në mbarë botën.