Rajoni

Kërcënimi me bombë, shtyhet për në mbrëmje seanca e konstituimit të Kuvendit të Kosovës!

U shty për në orën 20:00 të mbrëmjes, seanca e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, e planifikuar për sot më 11:00. Shkak u bë një kërcënim me bombë e që rezultoi alarm i rremë. Më herët, autoritetet e sigurisë larguan nga godina të gjithë deputetët, mediat e të tjerë persona prezentë, në prag të nisjes së seancës së radhës ku nuk priteshin surpriza pasi partitë politike nuk kanë arritur konsensus.

Arben Loshi, zv.sekretar i Përgjithshëm i Parlamentit, bëri të ditur se policia kërkoi evakuimin e të gjithëve nga ndërtesa dhe oborri i Kuvendit, sepse përmes një telefonate në anglisht, një person kërcënoi se një bombë e vendosur në objekt do të shpërthente brenda 10 minutave.

Skuadra anti-bombë e policisë kreu kontrolle brenda dhe jashtë ndërtesës së Kuvendit.

Glauk Konjufca i Vetëvendosjes, tha se bëhet fjalë për një “kërcënim të qartë” duke konfirmuar se policia mendon po kështu. I pyetur se si ka ardhur ky kërcënim, Konjufca deklaroi se përmes telefonit.

Siç dihet, katër muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Kosova vazhdon të jetë pa institucione të reja, ndërsa afati kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit po shkon drejt fundit. Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese doli me një vendim, i cili i detyron deputetët që brenda 30 ditëve të konstituojnë Kuvendin.

Seanca e thirrur, e 42-ta për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit e për të vijuar me hapat e tjerë të konstituimit po dështon, kjo edhe për shkak të mungesës së dakordësisë mes partive politike rreth formimit të një komisioni për votim të fshehtë për kandidaten për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Prej kohësh, partitë më të mëdha opozitare kanë kundërshtuar propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje që Haxhiu, aktualisht ministre në detyrë e Drejtësisë, të zgjidhet në krye të Kuvendit. Subjekti i kryeministrit Albin Kurti nuk tërhiqet dhe këmbëngul në kandidaturën e Haxhiut.