Policia e Kosovës urdhëroi të gjithë deputetët, mediat e personat e pranishëm në ndërtesën e Kuvendit të largohen, në prag të vazhdimit të radhës të seancës së konstituimit. Forcat e rendit ende nuk kanë dhënë sqarime lidhur me këtë veprim. Por, sipas disa deputetëve, bëhet fjalë për çështje sigurie e me gjasa, ndonjë kërcënim i mundshëm.
Na dhanë udhëzime me dalë, sepse ka një kërcënim me gjasë. Nuk e dimë çka po ndodh dhe na kërkuan me dalë. Policia na tha për çështje të sigurisë, deklaroi Abelard Tahiri, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë.
Vlora Çitaku, deputete e PDK-së, tha se sigurimi iu kërkoi të largohen nga godina, pa dhënë sqarime.
Siç duket ka pasur ndonjë kërcënim për ndonjë sulm apo diçka të ngjashme. Nuk kemi informatë të saktë, vetëm na thanë të largohemi, tha Çitaku.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se bëhet fjalë për një “kërcënim të qartë”.
Edhe policia po mendon ashtu.
I pyetur se si ka ardhur ky kërcënim, Konjufca tha se “më sa e di vetëm përmes telefonatës”. Ndërkohë, nga pamjet televizive u pa prania e një numri të oficerëve të Njësisë Speciale të Kosovës në selinë e Parlamentit. Ata kontrolluan automjetet e parkuara në oborrin e Kuvendit.
Nuk është e qartë nëse deputetët do të kthehen apo jo për të zhvilluar vazhdimin e seancës, në program për sot. Siç dihet, katër muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Kosova vazhdon të jetë pa institucione të reja, ndërsa afati kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit po shkon drejt fundit.
Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese doli me një vendim, i cili i detyron deputetët që brenda 30 ditëve të konstituojnë Kuvendin.
Seanca e thirrur për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit e për të vijuar me hapat e tjerë të konstituimit po dështon, kjo edhe për shkak të mungesës së dakordësisë mes partive politike rreth formimit të një komisioni për votim të fshehtë për kandidaten për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Prej kohësh, partitë më të mëdha opozitare kanë kundërshtuar propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje që Haxhiu, aktualisht ministre në detyrë e Drejtësisë, të zgjidhet në krye të Kuvendit.