Bota

Këshilla e fundit dhe mjaft domethënëse e Stephen Hawking për njerëzimin para se të ndërronte jetë…

Pas një beteje 55-vjeçare me sklerozën laterale amiotrofike, më 14 mars 2018, një nga mendjet më të ndritura të planetit u shua si pasojë e komplikacioneve nga kjo sëmundje e rëndë. Por përpara se të ndërronte jetë, Stephen Hawking dha një këshillë të fundit, të fuqishme, për botën. Fizikani 76-vjeçar, i njohur për kontributet e tij në teorinë e hapësirës dhe kohës dhe për shpjegimet e thelluara mbi vrimat e zeza, ndau vizionin e tij për të ardhmen e njerëzimit:

Janë planifikuar shumë eksperimente ambicioze për të ardhmen. Do të hartojmë pozicionet e miliarda galaktikave dhe do të kuptojmë më mirë vendin tonë në univers. Por duhet gjithashtu të vazhdojmë të eksplorojmë hapësirën për të ardhmen e njerëzimit. Nuk besoj se do të mbijetojmë edhe një mijë vjet të tjera pa u larguar nga planeti ynë i brishtë. Ka qenë një kohë e lavdishme për të jetuar dhe për të bërë kërkime në fizikën teorike. Fakti që ne, që jemi thjesht grumbuj grimcash themelore të natyrës, kemi mundur t’i afrohemi kaq shumë kuptimit të ligjeve që na qeverisin, është një triumf i jashtëzakonshëm dhe jam i lumtur nëse kam dhënë qoftë edhe një kontribut të vogël.

Në mesazhin e tij të fundit për njerëzimin, Hawking tha:

Dua të ndaj entuziazmin dhe emocionin që ndjej për këtë kërkim. Prandaj, gjithmonë shikoni lart, drejt yjeve, e jo poshtë, nga këmbët tuaja. Mundohuni ta kuptoni atë që shihni dhe pyesni veten pse ekziston universi. Bëhuni kuriozë. Dhe, sado e vështirë të duket jeta, gjithmonë ka diçka që mund ta bëni dhe të jeni të suksesshëm. Ka rëndësi të mos dorëzoheni. Derisa ka jetë, ka shpresë.

Fjalët e tij pasqyrojnë edhe mënyrën se si u ndryshua këndvështrimi i tij për jetën pas diagnozës së MND në moshën 21-vjeçare, një sëmundje e rrallë që dëmton neuronet motorike në tru dhe palcë kurrizore. Brenda pak më shumë se një dekade, gjendja e tij u përkeqësua dhe në vitin 1970 ai u paralizua plotësisht.