Khloé Kardashian ka ndarë disa nga momentet më të errëta të jetës së saj personale, duke folur hapur për varësinë e ish-bashkëshortit të saj, Lamar Odom, nga droga dhe periudhën kur ai rrezikoi jetën nga mbidoza.
Ylli i reality show-t tregoi se, pavarësisht se kishte kërkuar divorc pas tradhtive të tij, ajo vazhdoi t’i qëndronte pranë në momentet më të vështira.
Çifti u martua në vitin 2009, vetëm një muaj pasi u njohën, ndërsa procesi i divorcit përfundoi zyrtarisht në vitin 2016.
Në dokumentarin e Netflix, “Untold: The Death & Life Of Lamar Odom”, Khloé zbulon se ajo dhe nëna e saj, Kris Jenner, shpesh e kërkonin atë nëpër rrugica dhe motele, teksa ai zhdukej për orë apo ditë të tëra.
Isha shumë mbështetëse, por në mënyrën e gabuar. Ndihesha përgjegjëse ta mbuloja dhe ta mbroja. Kishte raste kur zhdukej për 12 orë apo edhe dy ditë, largohej nga rehabilitimi dhe përdorte drogë. Unë e kërkoja kudo
-kujtoi ajo.
Ajo rrëfeu edhe skena të rënda nga ajo periudhë, duke treguar se shpesh gjente sende të përdorura për drogë nëpër dhoma hoteli dhe detyrohej të pastronte pas tij.
Situata arriti kulmin kur dyshimet për tradhti u konfirmuan në mënyrën më tronditëse. Khloé tregoi se mori një telefonatë nga një grua që ndodhej me Lamar në një motel, e cila i kërkoi të vinte ta merrte pasi ai ishte në gjendje të rëndë dhe kërkonte vazhdimisht para dhe drogë.
Nga ana tjetër, vetë Lamar Odom ka pranuar se në atë periudhë kishte humbur kontaktin me realitetin për shkak të përdorimit të tepruar të substancave.
Rrëfimi i Khloé ka sjellë reagime të shumta, duke hedhur dritë mbi një nga periudhat më të vështira të jetës së saj dhe betejën e gjatë të ish-bashkëshortit me varësinë.