Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, hedh poshtë çdo mundësi mbi pronësinë amerikane të termocentralit bërthamor të Zaporizhias. Siç njoftoi Shtëpia e Bardhë, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump dhe Zelensky, dje gjatë një bisede telefonike, diskutuan situatën rreth furnizimit me energji në Ukrainë e termocentralet bërthamore të vendit.
Presidenti amerikan raportohet se i tha homologut të tij ukrainas se Shtetet e Bashkuara mund të jenë të dobishme në drejtimin e termocentraleve dhe se pronësia amerikane do të ishte “mbrojtja më e mirë”.
Në një konferencë të përbashkët për media në Oslo me kryeministrin norvegjez, Jonas Gahr Store, tha se ai dhe Trump diskutuan lidhur me restaurimin e termocentralit bërthamor Zaporizhzhia (ZNPP) dhe se Ukraina është e gatshme të diskutojë mbi modernizimin e termocentralit.
Nëse amerikanët mendojnë se si të gjejnë një rrugëdalje nga kjo situatë, duan ta largojnë atë (ZNPP) nga rusët dhe duan të investojnë e ta modernizojnë kjo është një çështje tjetër. Por ne, përfundimisht nuk e diskutuam çështjen e pronësisë, u shpreh Zelenskyy.
Duke theksuar se të gjitha termocentralet bërthamore të vendit të tij i përkasin popullit ukrainas, Zelenskyy vuri në dukje se ata që punojnë në termocentral i kanë marrë pagat nga shteti ukrainas dhe janë ukrainas.
Më tej, presidenti ukrainas u shpreh se çështja e ZNPP-së është një “e rrezikshme” për shkak të mungesës së mirëmbajtjes së duhur në stacion, pavarësisht pranisë së personelit nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA).
Ai theksoi “gjendjen teknike shumë të rëndë” të stacionit, duke shtuar se nuk ka furnizim normal me ujë për të ftohur reaktorët në termocentral pas shkatërrimit të digës Kakhovka në qershor të vitit 2023. Ndërkaq, shtoi se Trump e pyeti për mendimet e tij për termocentralin gjatë bisedës telefonike, duke bërë të ditur se, “i thashë se nëse nuk është ukrainas, atëherë nuk do të funksionojë për askënd. Kjo është e paligjshme”.
Situata rreth termocentralit bërthamor Zaporizhzhia, më i madhi në Europë dhe një nga dhjetë më të mëdhenjtë në botë, mbetet veçanërisht e tensionuar pasi vazhdojnë shqetësimet për një katastrofë të mundshme bërthamore midis Moskës dhe Kievit, që shpesh kanë akuzuar njëri-tjetrin për sulme përreth objektit.