Një dekadë pas studimit që ndryshoi qasjen mjekësore për alergjitë, shkencëtarët njoftojnë se rreth 60 mijë fëmijë kanë shmangur alergjinë nga kikirikët falë futjes së hershme të këtij ushqimi në dietën e foshnjave.
Udhëzimet e publikuara në vitin 2015 dhe që rekomanduan prezantimin e kikirikut që nga mosha 4 muajsh, kanë sjellë një ulje të ndjeshme të rasteve të reja.
I drejtuar nga Dr. David Hill në Spitalin e Fëmijëve në Philadelphia dhe i botuar në “Pediatrics”, studimi i ri analizoi mijëra të dhëna mjekësore e arriti në përfundimin se:
Alergjitë ndaj kikirikut te fëmijët 0-3 vjeç ranë me mbi 27% pas vitit 2015 dhe më shumë se 40% pas vitit 2017, kur udhëzimet u zgjeruan. Realisht, sot ka më pak fëmijë me alergji sesa do të kishim pa këtë qasje të re, tha Hill.
Për vite me radhë, mjekët këshillonin shmangien e ushqimeve alergjike deri në moshën 3 vjeç, por studimi revolucionar “LEAP”, i kryer në vitin 2015 nga profesori Gideon Lack, vërtetoi të kundërtën:
Futja e kikirikut në muajt e parë ul rrezikun e alergjisë me mbi 80%, ndërsa mbrojtja vazhdon në rreth 70% të fëmijëve deri në adoleshencë.
Megjithatë, zbatimi ecën ngadalë. Vetëm 29% e pediatërve dhe 65% e alergologëve në SHBA kanë ndjekur plotësisht udhëzimet e reja, për shkak të pasigurive fillestare e mungesës së informacionit praktik për prindërit.
Shkencëtarët theksojnë se kjo vonesë ka ulur përkohësisht ndikimin e pritshëm në nivel kombëtar. Alergjia ndaj kikirikut ndodh kur gabimisht, sistemi imunitar e identifikon si rrezik proteinën e kikirikut, duke shkaktuar simptoma që variojnë nga skuqje e puçrra e deri te anafilaksia, një gjendje potencialisht fatale.
Aktualisht, më shumë se 8% e fëmijëve amerikanë kanë alergji ushqimore dhe mbi 2% janë alergjikë ndaj kikirikut.
Edhe pse studimi mbështetet në një pjesë të praktikave pediatrike e jo në të gjithë vendin, ekspertët i quajnë të dhënat “premtuese” dhe një provë të fortë se “futja e hershme e alergjenëve funksionon në praktikë”. Sipas Dr. Ruchi Gupta nga Universiteti Northwestern, rezultatet tregojnë se kjo strategji “po sjell ndryshim real e të matshëm”.