Bota

Kina-BE-së: Mos u lëkundni, sqaroni marrëdhënien me Pekinin!

Kinezët kërkojnë që Bashkimi Europian të mos “lëkundet”, si dhe theksojnë se duhet të “sqarojë” marrëdhënien strategjike me Pekinin zyrtar. Kjo u vu në dukje nga kryediplomati kinez, Wang Yi gjatë një takimi me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell. Lajmin e bën të ditur Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës.

Dy ditë më parë, Gjermania, ekonomia më e madhe e Europës ka treguar se po planifikon që t’i ulë tensionet në lidhjet me Kinën. Po ashtu, të tjerë liderë të BE-së, të shqetësuar nga ndikimi kinez dhe marrëdhënia e afërt e Pekinit me Moskën, kanë bërë thirrje për uljen e varësisë ndaj Kinës.

Në një takim të zhvilluar në kuadër të një samiti të organizuar në Xhakarta të Indonezisë, Wang iu drejtua Borrellit me fjalët:

Bashkimi Europian duhet që të sqarojë pozicionin e partneritetit strategjik në mes të të dy palëve, si dhe të promovojë marrëdhëniet Kinë-BE, për të ecur përpara.  Nuk duhet të ketë lëkundje e aq më pak inkurajim të fjalëve dhe veprimeve që na kthejnë pas.

Disa vende të Bashkimit Europian po shqetësohen për rolin e Kinës dhe nisjen e një lufte tregtare, ndërsa të tjerë besojnë se tani është koha për të vepruar, për të mbrojtur sigurinë ekonomike të Bllokut.

Brukseli dëshiron që ta përcaktojë qëndrimin e tij ndaj Kinës, duke i balancuar shqetësimet për varësi të madhe ndaj këtij shteti të madh aziatik, por edhe për t’i ruajtur lidhjet me ekonominë e dytë më të madhe në botë.

Në janar, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se qasja e BE-së ndaj Kinës është më shumë “shtensionuese” dhe “jo shkëputëse”, meqë Unioni ende synon që të bëjë tregti me Pekinin.

Për kryediplomatin kinez Wang, “nuk ka konflikte në interesat kyçe mes Kinës dhe BE-së”.