Bota

Kina i kërkon bashkëpunim Rusisë për të ndalur luftën në Iran! ‘Situata po del jashtë kontrollit’!

Kina kërkon të bashkëpunojë me Rusinë për një de-eskalim të luftës në Lindjen e Mesme. Këtë e bëri të ditur ministri i Jashtëm Wang Yi gjatë një telefonate me homologun rus Sergey Lavrov, të iniciuar nga ky i fundit.

Sipas mediave shtetërore kineze, Wang Yi theksoi se “Kina dhe Rusia duhet të sigurojnë drejtësi në çështjet kryesore”, ndërsa paralajmëroi se situata në rajon “po përkeqësohet dhe luftimet po intensifikohen”.

Ai përsëriti thirrjen e Pekinit për një armëpushim të menjëhershëm në konfliktin e nisur më 28 shkurt pas sulmeve ajrore izraelite dhe amerikane ndaj Iranit.

Po ashtu, Wang nënvizoi se Kina synon të vazhdojë bashkëpunimin me Rusinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke koordinuar qëndrimet për të ulur tensionet dhe për të ruajtur stabilitetin rajonal dhe sigurinë globale.

LEXO EDHE: ‘Po e çon Amerikën në ferr’, Irani i kundërpërgjigjet Donald Trump-it: Rajoni do të digjet!

Pekini dhe Moska mbajnë marrëdhënie të forta politike dhe ekonomike, të cilat janë forcuar edhe më shumë pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se beson që ekziston një “mundësi e mirë” për të arritur një marrëveshje me Iranin të hënën, përpara afatit 48-orësh që ai vetë ka vendosur që Teherani të nënshkruajë një marrëveshje dhe të rihapë Ngushticën e Hormuzit, për të shmangur bombardime të rënda.

“Besoj se ka një mundësi të mirë nesër: ata po negociojnë pikërisht tani”, ka thënë ai për Fox News. “Nëse nuk arrijnë një marrëveshje, dhe shpejt, po shqyrtoj mundësinë të hedh gjithçka në erë dhe të marr nën kontroll naftën”, ka shtuar ai.