Bota

‘Po e çon Amerikën në ferr’, Irani i kundërpërgjigjet Donald Trump-it: Rajoni do të digjet!

Tensionet mes Iranit dhe SHBA-së janë përshkallëzuar, pasi Teherani ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të Donald Trump.

Kreu i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, i është drejtuar drejtpërdrejt ish-presidentit amerikan me një mesazh të fortë në rrjetet sociale.

“Veprimet e tua të pamenduara po i çojnë Shtetet e Bashkuara në një ferr të vërtetë për çdo familje, dhe i gjithë rajoni ynë do të digjet”, shkroi ai.

Reagimi vjen pasi Trump ka kërcënuar me goditje ndaj infrastrukturës energjetike dhe urave, nëse Irani nuk hap Ngushticën e Hormuzit brenda një afati të shkurtër.

Ghalibaf akuzoi gjithashtu SHBA-në se po ndjek interesat e Izraelit, duke shtuar:

“Mos u mashtroni: nuk do të arrini asgjë duke kryer krime lufte”.

Sipas tij, e vetmja zgjidhje mbetet respektimi i të drejtave të popullit iranian dhe ndalimi i përshkallëzimit të situatës.

Dhe ndërsa lufta në Lindjen e Mesme po hyn në ditën e 37-të, Irani dhe Omani po negociojnë rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, sipas Ministrisë së Jashtme të Omanit.

“Dje, Sulltanati i Omanit dhe Republika Islamike e Iranit zhvilluan një takim në nivelin e nënsekretarëve të ministrive të jashtme të të dy vendeve, gjatë të cilit u diskutuan opsionet e mundshme për të siguruar tranzit të qetë përmes Ngushticës së Hormuzit në rrethanat aktuale në rajon.Gjatë takimit, ekspertë nga të dyja palët paraqitën një sërë vizionesh dhe propozimesh që do të studiohen”, thuhet në deklaratë.

Po ashtu ditën e sotme, forcat speciale amerikane kanë njoftuar se kanë gjetur pilotin e zhdukur në Iran pas rrëzimit të një F-15 të premten. Presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe anëtarë të lartë të stafit të tij ndoqën operacionet e shpëtimit.

Trump ka njoftuar se piloti gëzon shëndet të plotë dhe i quajti operacionet e shpëtimet si një nga më të guximshmet në historinë e SHBA-së.

Ushtria amerikane ka dërguar dhjetëra avionë, të armatosur me armët më vdekjeprurëse në botë, për ta gjetur atë. Jam i lumtur të raportoj se ai është shëndoshë e mirë. Shpëtimi, i atribuohet suksesit të djeshëm me gjetjen e një piloti tjetër të guximshëm, një lajm që nuk e konfirmuam menjëherë, në mënyrë që të mos rrezikohej suksesi i operacionit tonë të dytë të shpëtimit”, tha Trump në Truth.