Sot në aeroportin e Rinasit kanë ardhur ndihma të tjera nga Kina për Shqipërinë për luftën kundër Covid-19, raporton Top Channel.
Zv ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli konfirmoi se këto ndihma konsistojnë në 5000 kite testesh, 5000 veshje mbrojtëse, 10 mijë maska mbrojtëse, 5000 syze mjeksore, 10 mijë doreza, 20 mijë maska kirurgjikale. Këto materiale mjeksore i vijnë në ndihmë bluzave të bardha e sidomos atyre që janë në frontin e parë të luftës me pandeminë që tashmë ka prekur 185 shtete.
“Jam i gëzuar që mirëpresim këto ndihma sot. Këto ndihma janë të vështira sepse vendet në të gjithë botën kanë nevojë për këto produkte mjekësorë në një kohë që dhe transporti është ndërprerë. Këto ndihma tregojnë dashurinë tonë për popullin shqiptar. Miqtë e vërtetë duken në kohë të vështirë. Jam i bindur që këto ndihma do të luajnë një rol të rëndësishëm në luftën kundër CoVid-19. Në përgjithësi dua të them Shqipëria ja ka dalë mirë në këtë luftë” -tha ambasadori i Kinës në Tiranë, Zhou Ding.