Celebrities Gossip Lajmet e fundit Showbiz

Nga partnerë në ekran te bashkëshortë! Zendaya dhe Tom Holland rikrijojnë fotot ikonike pas 10 vitesh!

Zendaya dhe Tom Holland kanë emocionuar fansat duke rikrijuar disa nga fotografitë e tyre më ikonike, plot dhjetë vjet pas turneut të parë promovues të filmit “Spider-Man”, duke treguar se sa shumë ka ndryshuar jeta e tyre gjatë kësaj dekade.

Dyshja, të cilët u njohën gjatë xhirimeve të “Spider-Man: Homecoming” në vitin 2016 dhe sot janë të martuar, janë rikthyer sërish së bashku në fushatën promovuese të filmit më të ri të sagës, “Spider-Man: Brand New Day”.

Zendaya ndau në Instagram një postim të Sony Pictures, ku shfaqeshin fotografi krah për krah nga viti i parë i promovimit dhe ato të realizuara së fundmi, me pozat e rikrijuara pothuajse identike.

Në një prej imazheve, aktorja shfaqej elegante e veshur me një fund të bardhë dhe një bluzë të zezë pa mëngë, ndërsa Tom Holland rikrijonte të njëjtin pozicion që kishte bërë vite më parë.

Galeria përfshinte edhe fotografi nostalgjike me aktorin Jacob Batalon, i cili interpreton personazhin e Ned Leeds në filmat “Spider-Man”.

Sony Pictures e shoqëroi postimin me një mbishkrim të thjeshtë, por domethënës:

Kanë kaluar tashmë 10 vite.

Prej javësh, Zendaya dhe Tom Holland kanë qenë të angazhuar me promovimin e projekteve të tyre më të fundit. Fillimisht ata udhëtuan në Meksikë, ndërsa më pas u ndalën në New York për eventet promovuese të “Spider-Man: Brand New Day”.

Pak më herët, çifti mori pjesë edhe në promovimin e filmit epik “The Odyssey”, ku Zendaya tërhoqi vëmendjen me paraqitjet e saj elegante të frymëzuara nga Greqia e lashtë.

“Spider-Man: Brand New Day” pritet të dalë në kinema më 31 korrik dhe konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme të vitit për dyshen.

Ndërkohë, Zendaya ka zbuluar se pas një periudhe jashtëzakonisht intensive pune, planifikon të largohet përkohësisht nga skena.

Aktorja, e cila gjatë 12 muajve të fundit ka realizuar pesë projekte të mëdha dhe është martuar me Tom Holland, tha se dëshiron të marrë një pushim nga Hollywood-i.

Dua të zhdukem për pak kohë

-u shpreh ajo gjatë premierës së “The Odyssey” në New York, duke lënë të kuptohet se synon t’i kushtojë më shumë kohë jetës personale pas një viti plot angazhime profesionale.