Bota Lajmet e fundit

Kina paralajmëron vendet të mos bëjnë marrëveshje tregtare me SHBA në kurriz të saj

Kina ka paralajmëruar vendet e tjera që të mos bëjnë marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara në kurriz të saj, përndryshe do të marrë kundërmasa, raportoi Reuters.

Ministria e Tregtisë e Kinës tha se do të kundërshtonte “në mënyrë të vendosur” çdo marrëveshje që dëmton interesat e Kinës dhe do të merrte kundërmasat e duhura.

Paralajmërimi pasoi një raport të Bloomberg, sipas të cilit administrata amerikane po përgatitet të ushtrojë presion ndaj vendeve që kërkojnë ulje të tarifave ose përjashtime nga tarifat amerikane për të reduktuar tregtinë me Kinën, duke përfshirë vendosjen e sanksioneve monetare.

Më 2 prill, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi tarifa më të gjera për një numër vendesh, me përjashtim të Kinës, ndaj së cilës vendosi tarifat më të larta.

Në një seri lëvizjesh, Uashingtoni ngriti tarifat për importet kineze deri në 145 për qind, të cilave Pekini iu përgjigj me tarifa prej 125 për qind për mallrat amerikane. Javën e kaluar, Kina sinjalizoi se tarifat e saj nuk do të rriteshin.

“Shtetet e Bashkuara kanë abuzuar me tarifat për të gjithë partnerët tregtarë me pretekstin e të ashtuquajturit “balancim”, ndërsa në të njëjtën kohë i kanë detyruar të gjitha palët të fillojnë negociatat për “tarifat reciproke”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Tregtisë së Kinës.