Bota

Presidenti kinez Xi: Nuk ka fitues në një luftë tregtare!

Udhëheqësi kinez, Xi Jinping, tha se nuk ka fitues në luftën me tarifa, në kohën kur Pekini dhe Uashingtoni kanë vendosur tarifa të larta ndaj importeve të njëri-tjetrit. Presidenti Xi, sot ka nisur turin e tij në vendet e Azisë Juglindore me një vizitë në Vietnam, duke sinjalizuar se Kina është e përkushtuar për tregtinë globale, pasi tarifat e vendosura nga presidenti amerikan, Donald Trump, tronditën ekonominë botërore.

Edhe pse Trump ka pezulluar zbatimin e disa tarifave, ato ndaj Pekinit prej 145% kanë mbetur në fuqi e janë tepër të larta. Kina iu është kundërpërgjigjur Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke vendosur po 145% tarifë ndaj importeve amerikane.

Nuk ka fitues në një luftë tregtare apo në një luftë me tarifa, shkroi Xi në X, në një editorial që është publikuar në mediat shtetërore të Vietnamit e të Kinës. Shtetet tona duhet që të mbrojnë me vendosmëri sistemin multilateral të tregtisë, zinxhirët industrialë, si dhe të furnizimit global e po ashtu, mjedisin e hapur dhe bashkëpunues ndërkombëtar.

Xi do të zhvillojë një vizitë dyditore në Vietnam. Në fakt, kjo vizitë ishte planifikuar më herët, por tani është bërë e rëndësishme për shkak të luftës me tarifa mes Kinës e SHBA-ve, dy ekonomive më të mëdha në botë. Vietnami njihet si vend që ka përvojë në balancimin e raporteve mes Amerikës e Kinës. Ky shtet që bazohet në një sistem komunist njëpartiak si Kina, ruan marrëdhënie të forta me SHBA-të.

Në vitin 2023, Vietnami ishte vendi i vetëm që priti presidentin amerikan, Joe Biden, si dhe atë të Kinës, Xi Jinping. Duhet theksuar se edhe Vietnami është goditur nga tarifat e vendosura nga Trump-i në fillim të prillit, që goditën shumë shtete të botës. Ndaj këtij shteti, Uashingtoni ka vendosur tarifë 46% ndaj mallrave, por tarifat janë pezulluar për 90-ditë nga Trump-i.

Pas Vietnamit, Xi pritet të qëndrojë në Malajzi e në Kamboxhia, në vijim të turit.