Bota

Kina i kundërpërgjigjet SHBA-ve me tarifë 125%!

Kina njofton se e ka rritur tarifën ndaj mallrave amerikane nga 84 në 125%, duke iu kundërpërgjigjur presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ditë më parë e çoi në 145% tarifën ndaj mallrave kineze. Vendimi i ri i Pekinit për gjithçka që importohet nga Shtetet e Bashkuara do të hyjë në fuqi nesër. Kina kishte paralajmëruar se do t’i luftonte tarifat amerikane me kundërmasa, duke i cilësuar veprimet e presidentit Donald Trump si “bullizëm ekonomik”.

Veprimet e Trump-it për tarifa ndaj të gjitha vendeve të botës bënë që drejtuesit e bizneseve të paralajmëronin për një recesion të mundshëm ekonomik. Disa nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u hakmorën duke vendosur taksa kundrejt mallrave amerikane. Megjithatë Trump njoftoi një pezullim 90 ditor. Por, Trump dhe Kina vazhduan tarifat reciproke ndaj njëri-tjetrit.

Duke rritur tarifa anormale ndaj Kinës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë kthyer në një lojë numrash, e cila nuk ka asnjë rëndësi praktike ekonomike dhe do të shndërrohet në një shaka në historinë e ekonomisë botërore, u shpreh një zëdhënës i Ministrisë së Financave të Kinës, në një komunikatë.

Megjithatë, nëse Amerika do të këmbëngulë që të vazhdojë t’i shkelë në mënyrë të konsiderueshme interesat e Kinës, Kina do të kundërpërgjigjet me vendosmëri e do të luftojë deri në fund, u shpreh zëdhënësi.

Ministria e Tregtisë e Kinës tha se do ta dorëzojë një tjetër padi në Organizatën Botërore të Tregtisë kundër tarifave amerikane. Javën e kaluar, Pekini zyrtar pezulloi importet e shpendëve nga disa kompani amerikane, vendosi më shumë kontrolle eksporti mbi mineralet e rralla, të cilat janë thelbësore për teknologji të ndryshme, si dhe vuri disa dhjetëra kompani amerikane në lista që ua ndalojnë atyre kineze t’iu shesin mallra për përdorim të dyfishtë.

Duke pasur parasysh madhësinë e të dyja ekonomive, ekspertët kanë frikë se do të ketë trazira ekonomike globale. Numri 1 i OBT-së, Ngozi Okonjo-Iweala, tha më herët këtë javë, se lufta tregtare mes Shteteve të Bashkuara e Kinës “mund ta dëmtojë rëndë perspektivën ekonomike globale”.