Bota

Kina u hakmor me 84% tarifa ndaj mallrave amerikane, Trump thirrje kompanive: Zhvendosuni në SHBA!

Në komentet e tij të para që kur Kina njoftoi se do të rrisë taksën e saj për importet amerikane në 84%, Presidenti i SHBA Donald Trump po inkurajon kompanitë të lëvizin në SHBA.

Duke shkruar në platformën e mediave sociale Truth Social, presidenti i SHBA thotë: “Kjo është një kohë e shkëlqyer për të zhvendosur kompaninë tuaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zero tarifa, mos prit, bëje tani”.

Ministria e Financave e Kinës ka shpallur një rritje të tarifës për mallrat e importuara nga SHBA, duke e çuar atë në 84%, nga 34% që ishte njoftuar më herët, si një kundërpërgjigje ndaj taksave të vendosura nga Donald Trump.

LEXO EDHE: Bitcoin s’e përballon dot luftën tregtare, bie në 70 mijë dollarë!

Ministria ka njoftuar se këto tarifa të reja do të bëhen efektive që nga mesdita e 10 prillit.

Njoftimi i tarifave të reja nga Kina çoi në një “ulje” të re në tregjet amerikane, me S&P 500 që ra menjëherë me 1.5%. Më herët, Pekini kishte përdorur një gjuhë të fortë kundër veprimeve të  Presidentit të Shteteve të Bashkuara, në lidhje me marrëdhëniet tregtare dypalëshe, duke i quajtur lëvizjet e tij  “kërcënuese dhe shtrënguese”  dhe “gabim pas gabimi ” .

Qeveria kineze përsëriti synimin e saj për t’iu përgjigjur me kundërmasa, duke deklaruar se  Uashingtoni  do të përballej me pasojat e veta. Letra  e Bardhë bëri të qartë se Pekini nuk ka ndërmend të tërhiqet në luftën tregtare dhe kujtoi komunikimin e fundit midis  Trump  dhe  Xi Jinping.

“Nëse SHBA vërtet dëshiron ta zgjidhë problemin përmes dialogut dhe negociatave, duhet të demonstrojë një qëndrim barazie, respekti dhe përfitimi reciprok ,” tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme  Lin Jian  në një konferencë të rregullt për shtyp.