Bota

Shuhet lideri amerikan i të drejtave civile, Jesse Jackson!

Jesse Jackson, udhëheqësi i famshëm i të drejtave civile i cili marshoi përkrah Martin Luther King Jr. dhe më vonë kandidoi për president, ka ndërruar jetë në moshën 84 vjeçare. Lajmin e trishtë e njoftoi familja e tij, e cila deklaroi se Jackson ndërroi jetë në paqe.

Babai ynë ishte një udhëheqës shërbëtor, jo vetëm për familjen tonë, por edhe për të shtypurit, ata pa zë e të anashkaluarit në të gjithë botën, thuhet në një komunikatë.

Jackson u shtrua në spital për vëzhgim në nëntor dhe u diagnostikua me gjendje degjenerative të quajtur paralizë supranukleare progresive. Ai zbuloi në vitin 2017 se ishte diagnostikuar me sëmundjen e Parkinsonit, që prek sistemin nervor dhe kufizon ngadalë lëvizjen e aktivitetet e përditshme.

Jackson e quajti “sfidë fizike”, por refuzoi ta lejonte që ta pengonte të vazhdonte punën për të drejtat civile.

I njohur prej kohësh për aktivizmin dhe ndikimin politik, Jackson e kaloi jetën, i përkushtuar ndaj ndjekjes së të drejtave civile për grupet e privuara nga e drejta e votës si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu edhe jashtë saj.

Angazhimi i palëkundur i Jackson-it ndaj drejtësisë, barazisë e të drejtave të njeriut ndihmoi në formësimin e një lëvizjeje globale për liri dhe dinjitet. Një agjent i palodhur i ndryshimit, ngriti zërat e atyre që nuk kishin zë… duke lënë një gjurmë të pashlyeshme në histori, deklaroi familja e tij.