Koalicioni Euroatlantik çeli fushatën elektorale për 11 Majin. Lulzim Basha tha se ky koalicion është “alternativa për çdo shqiptar që do ndryshimin”. Basha akuzoi qeverinë për korrupsion gjatë 12 viteve në pushtet. Sipas tij, dhënia e një mandati tjetër qeverisës PS-së “do të thotë më shumë dështime”.
Shqipëria meriton më shumë, meriton të ndahet nga 12 vjet dështime e korrupsione të Edi Ramës. Shqipëria meriton ndarje nga kultura e pandëshkueshmërisë. Fuqi të panumërta janë derdhur drejt nesh me helm e vrer, me shpifje, me miliona të paguara për të nxirë mesazhin tonë.
Nuk ia dolën dhe nuk kanë për t’ia dalë sepse ne jemi vullneti i shqiptarëve për ndryshim. Katër vite të tjera me Edi Ramën do të thotë më shumë dështime, më shumë korrupsion e më shumë stanjacion në rrugën drejt BE-së. Më 11 maj, çdo shqiptar që do ndryshim e ka alternativën, Koalicioni Euroatlantik.
Ajo që na mban bashkë në këtë rrugëtim është shumë më e madhe se gjithësecili prej nesh. Eshtë edhe më e madhe se shuma e të gjithëve ne bashkë. Eshtë më e madhe se Koalicioni Euroatlantik, është fuqia e pamposhtur e dashurisë për Shqipërinë dhe bindja dhe besimi se Shqipëria meriton më shumë, se Shqipëria meriton të ndahet me 12 vite dështime, korrupsion, e mashtrime të Edi Ramës dhe qeverisë së tij.
Në hapje të fushatës së Koalicionit Euroatlantik, në krah të Lulzim Bashës ishte Hans-Joachim Falenski, i dërguari i CDU-së në Bundestag. Falenski theksoi mbështetjen e CDU-së për SPAK-un dhe dënoi përpjekjet për të penguar drejtësinë, përfshirë iniciativën për amnisti.
Ne, qeveria e udhëhequr nga CDU/CSU-ja duam që Shqipëria të jetë sa më shpejt në BE. Lufta kundër korrupsionit, po, ka pasur përparime në këtë fushë. Por, kjo është arritur vetëm përmes punës së mirë të Struktures se Posaçme Antikorrupsion, SPAK, përkundër kundërshtimit nga qeveria dhe parlamenti.
Për shembull, përmes ligjit të amnistisë ka pasur një kthim mbrapa të rëndësishëm, duke liruar 40 persona të dënuar per korrupsion dhe duke ulur dënimin për 65 të tjerë. Dhe përpjekjet nga qeveria e parlamenti për të penguar punën e suksesshme të SPAK-ut po shtohen. Ne nuk do ta lejojmë këtë! Kjo do të hasë në kundërshtimin tonë më të ashpër!