Me performanca artistike, këngë e valle, në sheshin Skënderbej në kryeqytet po prezantohen kandidatët socialistë në të 12 qarqet e vendit. Rreth mesdite, PS-ja çeli zyrtarisht fushatën për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit. Forca politike në pushtet e kryeministrit Rama kërkon mandatin e katërt qeverisës.
KQZ ka nisur zyrtarisht procesin edhe përgatitjes së dokumentacionit zgjedhor për votuesit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dhe që do të ushtrojnë të drejtën e votës në zgjedhjet e 11 majit. Procesi po zhvillohet në ambientet e Parkut Olimpik “Feti Borova” në Tiranë dhe përfshin disa faza të rëndësishme logjistike dhe teknike.
Në fazën e parë, po kryhet vulosja e fletëve të votimit sipas qarqeve zgjedhore dhe vendosja e tyre në zarfin “A”, që përmban vetëm fletën e votimit.
Më tej, këto zarfe do të vendosen në zarfat e jashtëm të KQZ dhe në zarfin përfundimtar të operatorit të shërbimit postar që do t’i shpërndajë ato jashtë Shqipërisë.
Shpërndarja e fletëve, nuk do të bëhet përtej datës 3 maj. Procesi po monitorohet nga përfaqësues të subjekteve zgjedhore, vëzhgues ndërkombëtarë dhe vendas si dhe përfaqësues të mediave. Ndërkaq, Sali Berisha i cili kërkon rikthimin në pushtet e çeli dje fushatën elektorale, në krah të Chris LaCivitas.
Arkitekti i fushatës së presidentit amerikan Donald Trump, drejtues i fushatës elektorale të Partisë Demokratike, mbajti fjalën e tij në mitingun që çeli fushatën e “Aleancës për Shqipërinë Madhështore”.
Në vitin 2024, në Shtetet e Bashkuara, socialistët u përpoqën të fusnin në burg Donald Trump-in. Donald Trump nuk u dorëzua. Ata dështuan. Në vitin 2025, këtu në Shqipëri, socialistët duan të fusin në burg gjithë opozitën e tyre. Edhe këtu do të dështojnë. Pse? Sepse nuk mund të mbrojnë dot bilancin e 12 viteve të fundit: 12 vite krim, 12 vite drogë, më shumë se 1 milion shqiptarë janë larguar nga vendi.
Dhe 12 vite dështim ekonomik. Pse të votoni për partinë që i krijoi të gjitha këto probleme? Votoni për Dr. Berishën! Jepini vendit tuaj mundësinë dhe jepini njerëzve shpresë!
Në përgjigje të komenteve të Ramës, që vazhdimisht e cilëson ‘bufi plak’, Berisha tha se “forca e burrit matet me dashurinë dhe pasionin që ka për të ndihmuar shoqërinë, kombin, vendin e tij”.
Edvin, vitet e Sali Berishës janë që të gjitha bio. Edvin, me atë vetting për të cilin mund të them se nder më bëre, u tregove shqiptarëve se ku qëndron forca e pathyeshme e Sali Berishës. Sa i përket moshës, ju garantoj se ai, s’e keni njohur ju, por unë e mbaj mend, ngjet jo me Gramozin, por me gjyshin e Gramoz Ruçit. Nuk e di ti, se ti vjedh gjithë ditën, por forca e burrit matet me dashurinë dhe pasionin që ka për të ndihmuar shoqërinë, kombin, vendin e tij.