Rajoni

Koalicioni “Forumi Shqiptar” fiton zgjedhjet në Tuz të Malit të Zi!

Në Malin e Zi, koalicioni “Forumi Shqiptar – Bashkim dhe Zhvillim”, i drejtuar nga Nik Gjeloshaj mundi të fitojë shumicën absolute në zgjedhjet e zhvilluara në Tuz,  komunë e banuar me shumicë shqiptare në afërsi të Podgoricës. Në votimet e një dite më parë, ky koalicion arriti të marrë rreth 52 për qind të votave, sipas të dhënave paraprake.

Në këtë koalicion, krahas partisë së Gjeloshit – Alternativa Shqiptare (AA) – bëjnë pjesë edhe partitë e tjera po shqiptare: Aleanca Demokratike e Shqiptarëve (DSH), Unioni Kombëtar Shqiptar (UKSH) dhe Aleanca Demokratike e Malit të Zi (DSCG).

Koalicioni “Rrugës së drejtë” – Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH), Partia Boshnjake (BS) dhe Social Demokratët (SD), fitoi 33 për qind të votave.

Në garë ishin edhe dy koalicione të tjera. Eshtë fjala për koalicionin shqiptar “Bashkë” – Partia Demokratike (PD) dhe Forca dhe koalicioni “Me gjithë zemër për Tuzin” – Partia Socialdemokrate (SDP) dhe Lëvizja për Tuzin. Po ashtu janë tre subjekte politike: “Më të fortë jemi së bashku” – Demokratët, “Për Tuzin me nderë” – Partia Popullore Socialiste (SNP) dhe “Për gjeneratat e ardhshme” – Partia për Drejtësi dhe Pajtim (SPP).

Të drejtë vote në këto zgjedhje kishin 12 mijë e 387 votues, ku 66.5 për qind prej tyre morën pjesë në votime duke shfrytëzuar mundësinë për t’u shprehur me votë.

Dita e zgjedhjeve ishte e qetë, me parregullsi të vogla që nuk mund të ndikojnë në rezultat. Tuzi është në qendër të Malsisë që gjendet mes Malit të Zi dhe Shqipëri. Statusin si komunë e pavarur, Tuzi e rifitoi në shtator të vitit 2018, duke u ndarë nga kryeqyteti i Malit të Zi.

Dekada më parë, Tuzi ishte pjesë administrative e Podgoricës dhe më pas një prej komunave të kryeqytetit. Në zgjedhjet e para të mbajtura më 2019-ën, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit Millo Gjukanoviç fitoi pushtetin në Tuz.