Në Fier u zhvillua sot takimi i radhës i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, ku morën pjesë qytetarë, përfaqësues të pushtetit vendor, organizata joqeveritare dhe deputetë.
Gjatë fjalës së tij, bashkëkryetari socialist i Komisionit, Arbjan Mazniku, është shprehur se fokusi i reformës duhet të jetë te kompetencat që duhet të kenë bashkitë, për ta ofruar më mirë shërbimin ndaj qytetarëve.
Sipas Maznikut, Reforma Territoriale e vitit 2014 ishte një hap pozitiv në forcimin e rolit të bashkive.
Një numër i ulët bashkish me kompetenca të forta, do të ishte një zgjidhje sipas Maznikut, që pushteti vendor të kishte një rol më aktiv në problemet e qytetarëve.
“Shpesh herë kur themi raporti i qytetarit me shtetin, në fakt pjesa më e madhe e asaj që shumica e njerëzve të thjeshtë mendojnë kur flasin për ndërveprim me shtetin, po ta thyesh të bësh një listë, kupton që pjesa më e madhe është ndërveprimi i tyre me bashkinë e qytetit ku banojnë. Sepse pushteti vendor është i lidhur ngushtësisht me një mori gjërash të përditshmërisë së jetës së njerëzve. Ndaj tërësia e jetës sonë është e lidhur me mënyrën si funksionojnë bashkitë. Prandaj një reformë e tillë prek jetën e njerëzve. Si e kanë mundësinë bashkitë për të ofruar këto shërbime, a kanë mjaftueshëm të ardhura? A kanë mjaftueshëm njerëz? A ja dalin dot të gjitha bashkitë për t’i ofruar shërbim qytetarëve? Ne kemi një seri bashkishë që janë zhvilluar shumë. Por kemi disa bashki që e bëjnë këtë punë më pak mirë. Të gjitha këto na krijojnë një kuadër të nevojës për të bërë një reformë të re. Qoftë kjo nga ana e kompetencave, çfarë kompetencash duhet të kenë bashkitë? A duhet t’i kenë më të qarta? A duhet të kenë më shumë? Në cilin territor duhet të qeverisin bashkitë?”, tha mes të tjerash Mazniku.
Nga ana tjetër, bashkëkryetari demokrat Luciano Boçi, theksoi se reforma territoriale e vitit 2014 ka dështuar në përfaqësim, në ofrimin e shërbimeve dhe në garantimin e autonomisë vendore.
Boçi tha se Fieri ka qenë një nga qarqet që nuk e ka pranuar ndarjen territoriale të vitit 2014 dhe se ekzistojnë kërkesa legjitime për një riorganizim të ri administrativ.
Sipas tij, një reformë territoriale nuk mund të ndërtohet në zyrat e qeverisë apo mbi variante të paracaktuara politike, por duhet të bazohet tek dëgjimi i qytetarëve dhe nevojat reale të komuniteteve.