Tech Top Tech - News

Kompania e teknologjisë së shëndetit Whoop rrit ndjeshëm vlerën në treg

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

Nëse ora jote të thotë vetëm sa është ora… je në vitin 2010. Nëse të thotë sa ke fjetur, sa je lodhur dhe pse s’po performon në jetë—mirë se erdhe në 2026, ku edhe ora të gjykon.
Kompania Whoop sapo bëri një “workout financiar” serioz: ngriti 575 milionë dollarë dhe arriti një vlerësim prej 10.1 miliardë dollarësh. Po, nga 3.6 miliardë në mbi 10 miliardë… praktikisht bëri “bulk” më shpejt se dikush para verës.
Dhe kush investoi? Jo vetëm fonde serioze si Mayo Clinic apo Abbott, por edhe emra si Cristiano Ronaldo dhe LeBron James. Pra nëse ke menduar që palestra është e shtrenjtë, prit sa të shohësh sa kushton të ndjekësh performancën.
Ideja e Whoop është e thjeshtë: nuk të shet vetëm një pajisje, të shet një pasqyrë brutale të jetës tënde. Sa ke fjetur? Sa stres ke? A je gati për stërvitje apo për Netflix? Dhe përgjigjja është gjithmonë: “mund të bësh më mirë.”
CEO-ja Will Ahmed po e shtyn kompaninë drejt një faze më serioze—nga fitness në shëndet të mirëfilltë. Pra jo vetëm “sa kalori dogje”, por “si po funksionon trupi yt realisht”. Me pak fjalë: nga “six-pack” te “check-up”.
Kompania tashmë ka kaluar 1.1 miliardë dollarë në të ardhura të parashikuara dhe po rritet me ritëm të çmendur. Dhe po, IPO është pyetja që të gjithë bëjnë… por për momentin, Whoop po sillet si ai studenti që s’do të japë provimin akoma, sepse e di që do marrë 10 kur ta japë.
Në fund të ditës, mesazhi është i qartë: në një botë ku gjithçka matet: hapat, gjumi, stresi…..tani po matet edhe vlera jote në treg.
Dhe Whoop? Po del “fit” jo vetëm fizikisht… por edhe financiarisht.