Bota

Koreja e Veriut rikonfirmon mbështetjen për luftën ruse në Ukrainë!

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un i ofroi Moskës “mbështetje të palëkundur” në luftën në Ukrainë, sipas raportimeve të mediave shtetërore. Në bisedimet në Korenë e Veriut me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, Kim tha se Pheniani është në linjë me “të gjitha veprimet e udhëheqjes ruse” për të luftuar “rrënjën e problemit të krizës ukrainase”.

Zyrtarët perëndimorë besojnë se Pheniani ka dërguar rreth 11 mijë trupa ushtarake në Rusi vitin e kaluar për të luftuar kundër Ukrainës. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Koresë Veriore, KCNA, Kim dhe Lavrov u takuan “në një atmosferë të ngrohtë miqësore”.

Lideri koreanoverior shprehu besimin e plotë se ushtria dhe populli rus do të fitojnë në plotësimin e këtij synimi për mbrojtje të dinjitetit dhe interesave bazike të shtetit.

Në Telegram, Ministria e Jashtme ruse publikoi një video ku shihen dy zyrtarët duke përshëndetur njëri-tjetrin me përqafime. Rikonfirmimi i Koresë së Veriut për mbështetje ushtarake të Rusisë vjen ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump bëri të ditur rikthimin e ndihmave ushtarake në Ukrainë, pas një pauze të shkurtër.

Kanalit televiziv NBC, Trump i tha  se ka bërë marrëveshje me NATO-n, që Shtetet e Bashkuara t’i dërgojnë Ukrainës sisteme ajrore për mbrojtje, përmes aleancës. Njoftimi i tij erdhi në kohën e intensifikimit të sulmeve ajrore ruse në Ukrainë.

Në prill të këtij viti, Pheniani e pranoi se ka angazhuar trupa ushtarake në Rusi, disa muaj pasi Perëndimi ofroi dëshmi se një numër i madh ushtarësh janë në vijën e frontit mes Rusisë dhe Ukrainës. Kim ka nënshkruar një marrëveshje me Putinin në qershor të vitit të kaluar, duke rënë dakord për të mbështetuar njëri-tjetrin, nëse njëri nga shtetet përballet me “agresion”.

Përveç ushtarëve, Koreja e Veriut u zotua të dërgojë mijëra punëtorë për rindërtimin e rajonit rus Kursk, i shkatërruar nga lufta. Kjo u bë e ditur nga shefi i sigurisë së Moskës, muajin e kaluar. Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës që vijon prej shkurtit 2022, kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë.