Nuk ka vota për kabinetin qeveritar “Kurti 3”. Propozimi i të mandatuarit Albin Kurti për një mandat të ri 4-vjeçar nuk mori përkrahjen e nevojshme prej 61 votash në Kuvendin e Kosovës.
Kështu, me 56 vota pro, 52 kundër dhe 4 absentime, parlamenti nuk e zgjodhi ekzekutivin e ri të Republikës së Kosovës.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, tha se tani përgjegjësia kalon sërish te presidentja Vjosa Osmani dhe mbylli punimet e seancës së sotme.
Më herët, Albin Kurti prezantoi kabinetin qeveritar:
Zëvëndëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës – Glauk Konjufca
Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë – Donika Gërvalla
Zëvëndëskryeministër i tretë për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim Ekonomik – Fikrim Damka
Ministër i Financave dhe Ekonomisë – Hekuran Murati
Ministër për Familje dhe Mirëqenie Sociale – Andin Hoti
Ministër i Mbrojtjes – Ejup Maqedonci
Ministër i Administratës Publik dhe Digjitalizimit – Lulzon Jagxhiu
Ministër i Punëve të Brendshme – Xhelal Sveçla
Ministër i Shëndetësisë – Arben Vitija
Ministër i Arsimit dhe Shkencës – Avni Zogjani
Ministër i Kulturës dhe Turizmit – Fatmir Spahiu
Ministër i Sportit dhe Rinisë – Blerim Gashani
Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal – Rasim Demiri
Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor – Fitore Pacolli
Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – Armend Muja
Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit – Dimal Basha
Ministër i Tregtisë, Industrisë dhe Integrimeve Evropiane – Mimoza Kusari
Ministre e Energjisë dhe Minierave – Artane Rivzanolli
Ministër për Komunitete dhe Kthim – Nenad Rashiq
Ministër për Zhvillim Rajonal – Sejnur Veshall
Pas seancës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se sot u vërtetua që “Albin Kurti po e mban vendin peng”.
Ky është fundi i një mashtrimi politik që vendit tonë këta muaj i ka kushtuar edhe me izolimin, edhe me përçarje, edhe me humbje kohe. Albin Kurti nuk do të jetë më kryeministër i Kosovës. Nuk do të jetë më. Secila qeverisje e re pa Kurtin do të jetë e mirë për Kosovën.
Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, bëri të ditur se propozimi i mandatarit Albin Kurti nuk mori përkrahjen e tre deputetëve të partisë së tij, për shkak të Dimal Bashës.
Dimal Basha nuk duhet të ketë asnjë post publik dhe ai duhet të japë dorëheqje sepse është dëm i madh për Kosovën.
Zgjedhjet politike u mbajtën më 9 shkurt, por Kosova ende nuk ka formuar institucionet e reja dhe është me qeveri në detyrë. Nuk ka kompromis mes partive politike. E para doli Lëvizja Vetëvendosje, por pa siguruar numrat për të qeverisur e vetme. Kriza institucionale rrezikon t’i kushtojë Kosovës miliona euro. Faktori ndërkombëtar kërkon institucionet, për të ruajtur stabilitetin shtetëror.