Autoritetet kosovare japin alarmin se hapësira ajrore e Kosovës është shkelur nga dronë për të cilët dyshojnë se janë futur nga fqinjja veriore, Serbia, kohët e fundit. Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha sot për mediat se misioni paqeruajtës i NATO-s në vend, KFOR është njoftuar në lidhje me këto shkelje.
Kohën e fundit kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë që po vijnë nga territori i Serbisë në pjesën veriore të Kosovës. Policia është në kontakt me KFOR-in e jemi duke bërë monitorimin dhe me pa se çfarë mund të bëhet, tha Hoxha duke folur pas një ceremonie për shkatërrimin e armëve të jashtëligjshme.
Hapësira e ulët ajrore e Kosovës menaxhohet nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës, por ajo e lartë, mbi 6 mijë e 200 metra është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it. Kjo për shkak se Kosova ende nuk ka arritur kapacitete për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore.
Në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i KFOR-it është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës që nga viti 1999.
Hoxha shtoi se futja e dronëve të huaj në hapësirën ajrore të Kosovës “është e rrezikshme për pjesën e kufirit po, por për qytetarët tanë jo, ne jemi duke i mbrojtur po ashtu”.
Ndërkaq, iu bëri jehonë deklaratave të ministrit të Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, i cili dy ditë më parë foli për “Kohën” në lidhje me dyshimet se dronë nga Serbia kanë hyrë në hapësirën ajrore të Kosovës.
Radio Evropa e Lirë e ka pyetur KFOR-in sa iu përket dyshimeve për shkelje të hapësirës ajrore të Kosovës, por njofton se nuk ka marrë përgjigje të menjëhershme.