Ndërsa sot në Kosovë mbahen zgjedhjet parlamentare, pesë persona u ndaluan për veprën penale “Cënim i përcaktimit të lirë të votuesve”, siç bëri të ditur Prokurori i Shtetit.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nisur dy raste të ndara lidhur me këtë vepër penale, pas pranimit të informacioneve nga qytetarët për shkelje zgjedhore.
Prokurori i Shtetit njoftoi se për procesin zgjedhor ka angazhuar rreth 100 prokurorë dhe staf të sistemit të Prokurorisë, që të procedohet çdo parregullsi e mundshme në zgjedhje. Në njoftim u theksua:
Prokurorët do të qëndrojnë në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku Prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore, ku në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës do të jenë në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve.
Ky institucion iu bëri thirrje qytetarëve, partive politike e institucioneve të tjera, që të denoncojnë çdo rast të dyshuar për keqpërdorim të votave. Po ashtu, Policia e Kosovës njoftoi se për të mbrojtur votën, po zbaton planin e saj për ditën e zgjedhjeve, në koordinim me Prokurorinë.
Në një tjetër zhvillim të lidhur me zgjedhjet, Ramush Haradinaj, kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-NISMA-Konservatorët, votoi rreth orës 09:00, në mjediset e shkollës së mesme “Ali Sokoli” në Prishtinë. Haradinaj iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote, që të dalin dhe të votojnë.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë shihen me interes edhe në lidhje me pjesëmarrjen. Referuar proceseve të kaluara elektorale, shifrat tregojnë se në 17 vite, asnjëherë nuk ka arritur të dalë gjysma e popullsisë. Për të nxitur pjesëmarrjen, zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve njoftuan se pranohen edhe dokumentet e skaduara të identifikimit.
Konstatohet se prej 2001-shit, është rritur diferenca mes numrit të të regjistruarve për zgjedhjet në Kosovë dhe atyre që kanë shfrytëzuar të drejtën e votës. Në zgjedhjet e sotme, për herë të parë janë mbi dy milion të regjistruar.