Në orën 07:00 janë hapur qendrat e votimit në Kosovë për zgjedhjet parlamentare dhe do të qëndrojnë të hapura deri më 19:00 të mbrëmjes. Mbi 2 milion qytetarë, brenda dhe jashtë vendit kanë të drejtë vote, për të zgjedhur përbërjen e re parlamentare, që më pas zgjedh ekzekutivin e ri.
Për herë të parë, dje qytetarët e Kosovës në diasporë kanë mundur të votojnë në përfaqësi diplomatike në 19 shtete të ndryshme të botës. Po një ditë më parë u përmbyll edhe procesi i votimit me postë.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, votoi në një qendër votimi në Pejë për zgjedhjet parlamentare. Pas votimit, ftoi qytetarët dhe aktorët e tjerë që të respektojnë rregullat elektorale në ditën e zgjedhjeve.
Ftoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të dalin të votojnë! Gjithçka është gati për këtë proces.
Në zgjedhje marrin pjesë gjashtë subjekte politike që përfaqësojnë komunitetin serb: Lista Serbe, Lëvizja Popullore Serbe, Demokracia Serbe, Partia e Serbëve të Kosovës, Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë dhe Nisma Qytetare Drejtësia Popullore. Në 10 komunat me shumicë serbe në Kosovë, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar është: 106 mijë e 29.
Numri i saktë i serbëve në Kosovë ende nuk dihet me saktësi. Shumica prej tyre, veçanërisht në veri të Kosovës, e bojkotuan procesin e regjistrimit të popullsisë që u zhvillua vitin e kaluar. Sipas vlerësimit të publikuar më 19 dhjetor 2024 nga Agjencia e Statistikave, në katër komuna na veri të Kosovës jetojnë rreth 20 mijë serbë. Ndërkohë, në gjashtë komunat e tjera në jug të Ibrit (Graçanicë, Kllokot, Novobërdë, Partesh, Shtërpcë, Ranillug) janë regjistruar 27 mijë e 316.
Në Mitrovicën e Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe, qytetarët nisën votimin për zgjedhjet parlamentare. Ata u mblodhën në qendër të qytetit e si në të kaluarën, bashkërisht iu drejtuan qendrave të votimit. Qytetarëve iu bashkua edhe kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, i cili votoi në shkollën “Sveti Sava”.
Hera e parë që qytetarët në veri u rikthehen kutive të votimit prej vitit 2022, kur Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë ishte tërhequr nga institucionet e Kosovës dhe iu pati bërë thirrje serbëve që t’i bojkotonin proceset e ardhshme zgjedhore.