Rajoni Tech

Kosovë, 15 të arrestuar për mashtrim kompjuterik e keqpërdorim të kartelave bankare!

Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se pas veprimeve hetimore, ndaloi pesëmbëdhjetë persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale që lidhen me mashtrimin kompjuterik dhe keqpërdorimin e kartelave bankare. Dyshohet se gjatë periudhës janar – tetor 2024, të ndaluarit në komunën e Vitisë kanë vepruar në mënyrë të organizuar për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme pasuri përmes ndërhyrjes në sistemin kompjuterik të një institucioni bankar.

Sipas Prokurorisë, ata kanë shfrytëzuar një hapësirë kohore prej 15 sekondash gjatë sinkronizimit të transaksioneve mes shërbimeve bankare online dhe automatëve për para për tërheqjen e shumave të ndryshme të parave nga një bankë private e nivelit të dytë, duke shkaktuar një dëm të përgjithshëm në shumën 186 mijë euro.

Prokuroria njoftoi po ashtu se ndaj tyre do të kërkohet masa e paraburgimit, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rreme dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”.