Autoritetet kosovare po zhvillojnë një aksion në lidhje me dyshimet për spiunazh, siç njoftoi sot Prokuroria Speciale e Kosovës. Prokuroria tha se ky aksion po vijon në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencën.
Por, nuk jepen hollësi, për shkak ndjeshmërisë së hetimeve dhe për shkak se ende është në zhvillim. Aksioni vjen në kohën kur autoritetet kanë arrestuar, akuzuar e gjykuar serbë e shqiptarë nën dyshimet se po spiunonin për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.
Në qershor, gjykata në Prishtinë dënoi Aleksandar Vllajiçin me 5 vjet burg, pasi ai u deklarua fajtor për akuzat se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA). Dy të dyshuar, Bedri Shabani e Muharrem Qerimi, po gjykohen për spiunazh për Serbinë. Procesi ndaj tyre mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat se kishin dhënë informacione te BIA serbe për disa institucione të sigurisë në Kosovë, për UÇK-në dhe Masakrën e Reçakut. Në Kosovë, spiunazhi përkufizohet si aktivitetet sekret i mbledhjes, transmetimit ose shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm në një shtet, organizatë ose grup tjetër.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me të paktën pesë vjet burgim, nëse i dyshuari shpallet fajtor.