Rajoni

Kosovë, arrestohet i dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Malishevë!

Prokuroria Themelore në Gjakovë njoftoi se është arrestuar i dyshuari për vrasjen e dy vëllezërve në Golluboc të Malishevës. A.I. kishte qenë në arrati pas krimit të dyfishtë, një ditë më parë.

Autoritetet njoftuan se ndaj A.I. do të paraqesin kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit. Ndërkaq, Policia dha detaje të tjera, duke theksuar se ai u arrestua mëngjesin e sotëm në fshatin Pllaqicë.

Pas arrestimit, të dyshuarit i është ofruar trajtim mjekësor, pasi i njëjti ka pasur plagë që dyshohet të jetë shkaktuar nga arma e zjarrit. Ai është dërguar për trajtim të vazhduar mjekësor.

Sipas Policisë së Kosovës, pas vrasjes së dyfishtë në Malishevë, njësitet e saj gjetën e sekuestruan në vendngjarje dy armë që dyshohet se janë përdorur në këtë rast.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi, tha se autori i dyshuar dhe viktimat kishin raporte familjare. Mediat raportuan se ai ishte dhëndri i viktimave. Sa i përket motivit, Gashi u shpreh:

Nuk e dimë saktësisht.

Ndërkaq, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë konfirmuan se A.I. kishte pasur precedentë penalë. Ai ishte dërguar në paraburgim në prill të këtij viti, për “Dhunë në familje” dhe “Kanosje”.

Policia e Kosovës deklaroi se i dyshuari i kishte qëlluar dy vëllezërit me armë zjarri pak para mesditës të djeshme. Viktimat u dërguan në Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin e afërt, Kijevë, ku mjekët konstatuan vdekjen.

Ekzekutimi i tyre vjen pak muaj pasi në pjesë të ndryshme të vendit ndodhën pesë vrasje vetëm në muajin gusht.

Njohësit e çështjeve të sigurisë kanë bërë thirrje disa herë që shteti të bëjë më shumë për konfiskimin e armëve të jashtëligjshme, pasi argumentojnë se ato mund të gjenden lehtë në tregun e zi. Po ashtu, kërkojnë rritjen e operacioneve policore, për të ulur numrin e të tillë episodeve.