Rajoni

Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje merr shumicën dërrmuese të votave të diasporës!

Për parlamentaret e muajit që po lëmë pas në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon të publikojë të dhëna të reja lidhur me numërimin e votave nga përfaqësitë diplomatike.

Sipas përditësimit të fundit, nga 93.02% të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 80.75 apo 10 mijë e 898. E dyta, Partia Demokratike e Kosovës me 1.010 vota ose 7.48%, e ndjekur nga Lidhja Demokratike që ka fituar 4 vota më pak se PDK-ja, përkatësisht 1 mijë e 6 apo 7.45%. Ndërkaq, koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Konservatorët e Intelektualët janë me 1.93%, 260 vota.

Numërimi i votave nga diaspora për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit nisi pasditen e datës 26 shkurt. Për herë të parë, Kosova organizoi votim fizik të pjesëtarëve të diasporës në përfaqësitë diplomatike të vendit në botë. Votimet e 8 shkurtit u mbajtën në 43 vendvotime, në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës, në 19 shtete.

Pjesëmarrja ishte e lartë e përkatësisht votuan 73.56% e votuesve apo 15 mijë e 552 persona. Për votime në përfaqësi diplomatike ishin regjistruar 20 mijë e 324 zgjedhës. Diaspora ka pasur mundësi të votojë edhe përmes postës.

Por, ato vota, së bashku me votat me kusht brenda Kosovës, si dhe të personave me nevoja të veçanta do të nisin të numërohen në ditët në vijim, pasi të jenë skanuar listat përfundimtare të votuesve të 9 shkurtit, në mënyrë që të shmangen rastet e votimeve të dyfishta.

Ndërkaq, referuar rezultateve paraprake që përfshijnë numërimin e votave të rregullta, Lëvizja Vetëvendosje është e para me 40.80% të votave të fituara, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 22.05. E treta doli Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.64% të votave, e ndjekur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.46%. Nga partitë e komunitetit serb, numrin më të madh të votave e ka marrë Lista Serbe, përkatësisht 4.62%.