Rajoni

Kosovë, Lista Serbe i drejtohet sërish Kushtetueses!

Sot Lista Serbe sërish dorëzoi një ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, duke pretenduar se janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e punës së parlamentit, si dhe një vendim i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese.

Po ashtu, kemi kërkuar vendosjen e një mase të përkohshme për të ndaluar veprimet antikushtetuese që mund të shkaktojnë dëme të pakthyeshme, thuhet në njoftimin e Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Kuvendi i ri i Kosovës u konstituua më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiçit si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb. Zgjedhja e tij u bë pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe, ndonëse u hodhën nga tri herë në votim, nuk morën votat e nevojshme.

Kushtetuesja e ka trajtuar më herët ankesën e dorëzuar nga Lista Serbe lidhur me çështjen e nënkryetarëve, pasi kreu i Kuvendit, Dimal Basha, e pati shpallur të konstituuar Kuvendin, ndonëse pa zgjedhjen e nënkryetarit të pestë nga radhët e komunitetit serb.

Më pas, Gjykata konstatoi se Kuvendi nuk ishte i konstituuar, duke kërkuar që deputetët të zgjidhnin nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, me qëllim që të hapej rruga për formimin e qeverisë.

Në vendimin e Kushtetueses u tha se propozimi për nënkryetarin nga radhët e komuniteteve joshumicë, në këtë rast të pakicës serbe, duhet të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit serb.

Pasi deputetët e Listës Serbe nuk morën numrin e mjaftueshëm të votave, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, kërkoi që zgjedhja e nënkryetarit serb të vazhdojë përmes shortit, duke i mundësuar deputetit tjetër serb, Nenad Rashiç nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë të zgjidhet nënkryetar.

Rashiç ka qenë ministër në qeverinë e Albin Kurtit, duke drejtuar Ministrinë për Komunitetet dhe Kthimin.

Lista Serbe thotë se zgjedhja e Rashiçit nuk është “legjitime” dhe paralajmëron se zgjedhjet do të humbasin kuptimin, nëse shumica e deputetëve shqiptarë u imponohet serbëve përfaqësues, duke legalizuar “dhunën e shumicës ndaj pakicës”.

Një ditë pas zgjedhjes së Rashiçit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mandatoi kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për formimin e qeverisë së re. Sipas Kushtetutës, Kurti ka 15 ditë afat për t’i prezantuar Kuvendit përbërjen dhe programin e ekzekutivit.