Rajoni

Kosovë, përfundon rinumërimi i 50 vendvotimeve në QNR!

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë bëri të ditur se në Qendrën për Numërim dhe Rezultate ka përfunduar rinumërimi i 50 vendvotimeve të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Më herët gjatë javës, KQZ-ja mori vendim që 15 prej tyre të rinumëroheshin për shkak të mospërputhjeve të numrit të nënshkrimeve në listën e votuesve, me të fletëvotimeve, brenda në kutitë e votimit të këtyre vendvotimeve.

Ndërkaq, 25 kutitë e tjera i përkisnin komunës së Vushtrrisë pasi kishte “mospërputhje të rezultateve” të kandidatëve për deputetë. KQZ-ja bëri të ditur se mesditën e sotme do të nisë rinumërimi i fletëvotimeve të pavlefshme nga votimi me postë. Më 5 shkurt, KQZ-ja kishte njoftuar për përfundimin e numërimit të të gjitha votave për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit.

Pas kësaj, partitë dhe kandidatët kishin mundësi që të dërgonin ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Pasi të ketë përfunduar procesi i rinumërimit të votave me postë, KQZ-ja mund të certifikojë rezultatin zgjedhor dhe t’i hapë rrugë formimit të institucioneve të reja të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti është fituesja e zgjedhjeve, por ajo ka siguruar 48 vende në Kuvend dhe që nuk janë të mjaftueshme për ta krijuar e vetme ekzekutivin e ri. LVV-ja vuri në dukje se ka pak gjasa për bashkëpunim me partitë opozitare, si dhe ka shprehur dëshirën që qeverinë ta formojë me partitë joserbe.

Nga ana tjetër, partitë opozitare shqiptare në Kosovë janë shprehur qartë duke u deklaruar plotësisht kundër bashkëpunimit me subjektin e drejtuar nga Albin Kurti.