Zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se sot do të vazhdojë numërimi i votave të kandidatëve për deputetë në 19 Qendra Komunale të Numërimit. Gjatë ditës së djeshme, KQZ-ja bëri të ditur se sipas të dhënave të fundit, deri më 16 shkurt, janë numëruar 73.23% e vendvotimeve ose gjithsej 1,855 nga 2,533, në kuadër të procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.
Ndërkaq, njoftoi se numërimi ka përfunduar në 19 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) në komunat: Deçan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Junik, Mamushë, Hani i Elezit, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.
KQZ thotë se vazhdon të sigurojë transparencë dhe korrektësi gjatë procesit të numërimit, i cili pritet të përfundojë së shpejti. Nën hijen e zgjedhjeve, dje Kosova shënoi 17-vjetorin e pavarësisë.
Vitet e fundit, qeveria Kurti është kritikuar nga zyrtarët amerikanë, për shkak të disa hapave të cilësuar “të pakoordinuar” kundrejt komunitetit serb. Ndër të tjera, autoritetet e Kosovës hoqën nga përdorimi dinarin serb dhe mbyllën shumicën e institucioneve të Serbisë, nga të cilat serbët merrnin shërbime të ndryshme.
Këto veprime, qeveria i ka justifikuar si shtrirje të autoritetit të saj e në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Por, për shkak të tyre, edhe Bashkimi Europian ka ndërmarrë disa masa ndëshkuese kundër Kosovës, duke pezulluar disa fonde e takime të nivelit të lartë.
17-vjetori i pavarësisë e gjen Kosovën si shtet të njohur nga mbi 110 vende të botës. Vendi është pjesë e disa organizatave ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Europiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit. Por, ende nuk është në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Bashkimin Europian, Këshillin e Europës, etj.