Kosova sot shënon 17-vjetorin e pavarësisë së saj, të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008. Qeveria mbajti një mbledhje festive ku kryeministri Albin Kurti, shprehu mirënjohje dhe nderime për “të gjithë ata që u sakrifikuan dhe u flijuan” për lirinë.
Liria për të cilën kemi sakrifikuar kaq shumë, kërkon demokraci, e cila mundëson që të dëgjohet zëri i popullit dhe të mbrohen të drejtat e qytetarëve. Republika e Kosovës sot është më e fortë dhe më vitale se kurrë më parë, jo vetëm se kemi investuar në siguri dhe në mbrojtje, por sepse kemi forcuar institucionet demokratike dhe kemi normalizuar funksionimin e tyre. Ekonomia po rritet vit pas viti, shpejt e qëndrueshëm.
Duke iu drejtuar gazetarëve pas ngritjes solemne të flamurit të Kosovës pranë ndërtesave të Qeverisë dhe Kuvendit, presidentja Vjosa Osmani tha se kjo ditë kujton “sakrificën shekullore të popullit” për lirinë dhe pavarësinë.
Do të ecim përpara, sepse nuk ka asgjë që mund ta ndalë Republikën tonë të lirë, të pavarur, sovrane dhe të përjetshme.
Një sërë organizimesh, përfshirë parakalimin e trupave të Forcës së Sigurisë, priten gjatë ditës në Kosovë, me rastin e 17-vjetorit të pavarësisë. Kosova sapo ka dalë nga një proces zgjedhor dhe është në pritje të formimit të institucioneve të reja. Fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit rezultoi Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit, por pa siguruar shumicën e nevojshme prej 61 deputetësh për ta formuar e vetme qeverinë.
Një ditë më parë, Osmani njoftoi se për 17-vjetorin, mori mesazh urimi nga presidenti amerikan. Donald Trump përgëzon popullin e Kosovës për rrugëtimin drejt pavarësisë, si dhe vë në pah qëndrueshmërinë e vendosmërinë që e kanë shoqëruar këtë proces.
Lidhjet midis popujve tanë janë të forta dhe me padurim presim që t’i zgjerojmë ato veçanërisht përmes rritjes së mundësive për investime, që të sjellim më shumë prosperitet për të dyja vendet tona.
Vitet e fundit, qeveria Kurti është kritikuar nga zyrtarët amerikanë, për shkak të disa hapave të cilësuar “të pakoordinuar” kundrejt komunitetit serb. Ndër të tjera, autoritetet e Kosovës hoqën nga përdorimi dinarin serb dhe mbyllën shumicën e institucioneve të Serbisë, nga të cilat serbët merrnin shërbime të ndryshme.
Këto veprime, qeveria i ka justifikuar si shtrirje të autoritetit të saj e në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Por, për shkak të tyre, edhe Bashkimi Europian ka ndërmarrë disa masa ndëshkuese kundër Kosovës, duke pezulluar disa fonde e takime të nivelit të lartë.
17-vjetori i pavarësisë e gjen Kosovën si shtet të njohur nga mbi 110 vende të botës. Vendi është pjesë e disa organizatave ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Europiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit. Por, ende nuk është në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Bashkimin Europian, Këshillin e Europës, etj.