Lëvizja Vetëvendosje (LVV) propozoi kryetarin e saj, Albin Kurti, njëherazi kryeministër në detyrë i Kosovës, për një tjetër mandat në krye të qeverisë. Kurti u propozua me votë unanime në mbledhjen e 59-të të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së. Kurti falënderoi anëtarët e partisë për besimin e dhënë. Më tej, shpalosi programin e asaj që e quajti “qeverisje të re”.
Lëvizja Vetëvendosje fitoi më shumë vota në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit duke siguruar 48 vende në Kuvendin e Kosovës, të pamjaftueshme për ta formuar e vetme qeverinë.
LVV-ja e mori këtë vendim vetëm pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi masë të përkohshme, përmes së cilës ua ndalon deputetëve të ndërmarrin veprime për zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e qeverisë së re të Kosovës.
Masa do të jetë në fuqi deri më 30 shtator e është kritikuar nga LVV-ja, që bëri thirrje të ecet përpara me formimin e ekzekutivit të ri.
Kushtetuesja vendosi hyrjen në fuqi më 5 shtator dhe shuarjen e kësaj mase, në fund të muajit, pra më 30 shtator. Gjykata e vendosi pas kërkesës së Listës Serbe, duke argumentuar se i shërben shamngies së rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme e se është në interesin publik.
Ankesa e Listës Serbe, partisë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar erdhi pasi kryeparlamentari i ri i Kosovës, Dimal Basha, i kaloi të ndarë në votim kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga komuniteti joserb dhe serb. Nga joserbët, u zgjodh Emilija Rexhepi. Por, procesi u bllokua kur erdhi radha e nënkryetarit nga radhët e serbëve.
Lista Serbe që në Kuvendin e Kosovës ka 9 nga 10 vendet e rezervuara për serbët, këmbënguli të propozonte Sllavko Simiçin. Por, ai nuk arriti të siguronte 61 votat e nevojshme as pas tri raundeve të votimit. Kur Lista Serbe nuk pranoi të propozonte dikë tjetër për nënkryetar, Basha vendosi të hidhte short, sipas Rregullores së punës së Kuvendit, për të nxjerrë një tjetër emër nga komuniteti serb.
Përveç të gjithë deputetëve të Listës Serbe, për këtë post u propozua edhe Nenad Rashiç nga partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, aktualisht ministër në detyrë në qeverinë e Albin Kurtit. As Rashiç nuk i mori votat e nevojshme.
Pasi të gjithë deputetët serbë u hodhën në votim nga tri herë dhe dështuan të zgjedheshin në postin e nënkryetarit, Basha në mënyrë të njëanshme mbylli seancën e konstituimit e deklaroi se Kuvendi është konstituuar.