Rajoni

KQZ-ja në Kosovë vendos për rinumërimin e 50 kutive të votimit!

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë vendosi që të rinumërohen 50 kuti votimi për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Këshilli i Operacioneve Zgjedhore rekomandoi që 15 të rinumërohen për shkak se sipas Arianit Elshanit, përfaqësuesit të Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, pati mospërputhje në listën e nënshkrimeve.

Janë identifikuar 15 vendvotime në të cilat ka mospërputhje mes një nënshkrimi dhe dy nënshkrimeve, pra dy nënshkrime në listën e nënshkrimeve dhe një fletëvotim ose dy më pak, ose më shumë në kutinë e votimit.

Rekomandimi i dytë ishte për rinumërimin e 35 kutive në komunën e Vushtrrisë, që më herët ishin numëruar me vendim të prokurorit. Ky rekomandim ka të bëjë me mospërputhje në rezultatet e kandidatëve për deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Këtë raport të mospërputhjeve apo të ndryshimeve mes rezultateve në Qendrat Komunale të Numërimit dhe rezultatet e dala nga hetimi në Qendrën për Numërim dhe Rezultate ka ardhur si rekomandim që 35 vendvotime për të cilat vërehet, pra është me e dukshme diferenca mes votave të kandidatëve, të shkojnë në rinumërim të plotë në Vushtrri për të gjitha subjektet politike dhe kandidatët.

Nga Sekretariati i KQZ-së thanë se janë të gatshëm që rinumërimi i këtyre kutive të votimit të nisë pasditen e sotme, ora 16:00. Ndërkaq, sa i përket 177 kutive të votimit me vota me postë, të shpallura të pavlefshme që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka urdhëruar rivlerësimin e tyre, Sekretariati i KQZ-së tha se po pret të kalojë afati për ankesa në Gjykatën e Lartë dhe hapja e këtyre kutive mund të nisë nesër ose të mërkurën.

Më 5 shkurt, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi për përfundimin e numërimit të të gjitha votave për zgjedhjet e 9 shkurtit. Pas kësaj, partitë dhe kandidatët kanë drejtuar ankesat e tyre në PZAP dhe më pas në Gjykatën e Lartë. Me përfundimin e afateve për ankimim, KQZ-ja mund të certifikojë rezultatin zgjedhor dhe t’i hapë rrugë formimit të institucioneve të reja të vendit.

Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti është fituesja e zgjedhjeve, por ajo ka siguruar 48 në Kuvend, të pamjaftueshme për ta krijuar vetë ekzekutivin e ri. LVV-ja ka thënë se ka pak gjasa për bashkëpunim me partitë opozitare. Por, edhe partitë opozitare shqiptare janë shprehur kundër bashkëpunimit me partinë e Kurtit.