Rajoni

Konjufca: Qeverinë synojmë ta formojmë me partitë joserbe në Kosovë!

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se partia e tij synon që ta formojë qeverinë e re me mbështetjen e partive joserbe.

Siç e keni parë, Qeveria Kurti 2 u formua në bashkëpunim me minoritetet joserbe. Ky është qëllimi ynë sepse ka pasur ndikim pozitiv në Kosovë, duke parandaluar Listën Serbe, që operon nën ndikimin e Beogradit, që të ketë pushtet vendimtar, siç kishte në qeveritë paraprake, tha Konjufca për institutin dhe median online me seli në Itali, Osservatorio Balcani e Caucaso Transeuropa.

Lëvizja Vetëvendosje është partia fituese e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit dhe ka fituar 42.27% të votave apo 48 vende në Parlamentin me 120 deputetë. Pakicat joserbe kanë dhjetë vende të rezervuara në Kuvend. Nëse LVV-ja dhe subjektet joserbe bëhen bashkë do të kishin 58, sërish më pak se 61 vota sa kërkohen për formimin e qeverisë.

Ministri për Kthimin dhe Komunitetet, Nenad Rashiç, po ashtu ka fituar një nga dhjetë vendet e rezervuara për komunitetin serb ndërsa nëntë të tjera i siguroi Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë e që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Por, edhe me mandatin e Rashiçit, LVV-së i duhen dy deputetë që të mbështesin një ekzekutiv të ri të partisë së kryeministrit Albin Kurti. Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se ka pak të ngjarë që LVV-ja të bashkëpunojë me partitë që aktualisht janë në opozitë.

Nëse do të jetë e nevojshme, ne do të takohemi si udhëheqës dhe të vendosim për hapat e ardhshëm, por sa u përket partive opozitare, ato kanë ndërmarrë një qëndrim pengues. Sulmet ndaj LVV-së kanë qenë agresive dhe mendoj se këto zgjedhje ishin mjaft jo fair, me akuza jo fair dhe me goditje të ulëta.

Subjektet opozitare Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë shprehur kundër bashkëpunimit me LVV-në e Kurtit. Por, kreu i Nismës, parti që garoi në koalicion me AAK-në dhe disa parti të tjera, Fatmir Limaj, deklaroi se nuk ka “vija të kuqe” sa u përket koalicioneve të mundshme, qoftë me LVV-në, qoftë me partitë aktuale në opozitë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar numërimin e të gjitha votave për zgjedhjet e 9 shkurtit. Tani, procesi ka kaluar te Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, që po trajton ankesat e partive dhe kandidatëve për deputetë. Pas përfundimit të trajtimit të ankesave, KQZ-së do t’i hapej rruga për certifikimin e rezultateve zgjedhore. Pas certifikimit, sipas ligjeve, mund të formohen institucionet e reja të Kosovës.