Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani para gazetarëve ka folur lidhur me krijimin e qeverisë së re. Osmani theksoi se në rast se nuk arrihet një qeveri e re atëherë ajo do të caktojë datën e zgjedhjeve të reja, por shtoi se nuk mund të supozojë se do të këtë dështim në afati që ka mbetur.
“Unë nuk do të ngutesha që të japë supozime që do të dështohet në krijimin e qeverisë. Ka ende edhe pak kohë. Ta shohim”, tha ajo.
Osmani tha se përpjekjet e partive politike për koalicion zakonisht nuk shihen dhe merren vesh shumë vonë pasi ndodhin në dyer të mbyllura.
“Sa i përket përpjekjeve të partive politike, po rikthehem pak te përvoja ime kur kam qenë edhe unë në parti. Shumica e këtyre diskutimeve mes partive politike ndodhin prapa dyerve të mbyllura.
Shpeshherë ju e merrni vesh shumë vonë. Madje nganjëherë edhe ne që ishim në parti e merrnim vesh shumë vonë. Ju kujtohen disa prej koalicioneve të tilla”, tha ajo.
Presidentja shtoi se nuk ndërhynë në diskutimet e partive politike.
“Pra, unë nuk do të sugjeroja që nuk ka përpjekje. Vetëm sepse ne nuk i dimë, nuk do të thotë që ato nuk janë duke ndodhur. Nuk jam e sigurt në qoftë se ka përpjekje, nëse ato janë të mjaftueshme, sepse si Presidente nuk ndërhyj në diskutimet mes partive politike. Thjesht çka mund të bëj, është t’u uroj suksese të plota në krijimin e qeverisë, e cila do të marrë vendime në interes të qytetarëve”, shtoi ajo