Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë natës në zonën e Olmos, në periferi të Arezzos në Itali, ku një 30-vjeçar shqiptar u qëllua për vdekje me armë zjarri.
Viktima, Gj.P., banues në Frassineto, u ekzekutua rreth orës 23:40 pranë restorantit Chez Vous. Sipas hetimeve paraprake, ai është qëlluar me të paktën katër plumba ndërsa ndodhej në një kalim për këmbësorë mes një bari e restoranti.
Një nga plumbat e goditi në qafë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Alarmin e dha pronari i lokalit, i cili pasi dëgjoi të shtënat doli jashtë dhe gjeti trupin e pajetë. Dyshohet se pronari i lokalit ka parë edhe autorin të largohej me një automjet tip Audi me ngjyrë të errët.
Forcat italiane të rendit nisën kërkimet, duke bërë të mundur arrestimin e autorit të dyshuar rreth orës 02:00 të mëngjesit.
I dyshuari, shtetas shqiptar 35-vjeçar, u ndalua pa bërë rezistencë dhe ndodhet në paraburgim, në dispozicion të autoriteteve gjyqësore.
Trupi i viktimës u transportua në morgun e spitalit San Donato Hospital, ndërsa hetimet vijojnë nga policia dhe karabinierët, nën drejtimin e prokurores Emanuela Greco.
Sipas të dhënave paraprake, krimi dyshohet të ketë ndodhur për motive xhelozie. Pas përfundimit të punës, viktima ishte ndalur për të biseduar me ish-partneren, shtetase rumune. Në atë moment, partneri aktual i saj ka shkuar në vendngjarje dhe pasi i pa bashkë, e qëlloi me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend.
Hetuesit po punojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, që duket si vrasje me motive pasioni.