Drejtoria Vendore e Policisë Fier, Si rezultat i hetimeve të shpejta dhe profesionale, zbardhet dinamika dhe autorësia e një krimi në familje. Vrau babanë e saj, nëpërmjet strangulimit (mbytje me tel), dhe e kallëzoi në polici, rreth mesnatës, si ngjarje aksidentale, arrestohet 26-vjeçarja Emanilda Rama.
Shoqërohet nëna e saj, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar për pastrimin e trupit të 56-vjeçarit të vrarë, Anesti Rama, me qëllim inskenimin e ngjarjes si aksidentale.
Vajza e pranoi krimin pas zbardhjes së ngjarjes nga policia. Ajo tregoi edhe motivet përse ndërmori aktin ekstrem. Sipas saj, i ati e trajtonte me fanatizëm duke mos e lejuar të vishej në mënyrë bashkëkohore dhe as të argëtohej. Emanilda Rama u tha hetuesve se babai i ushtronte presion në përditshmërinë e saj.
Njoftimi:
Si rezultat i hetimeve profesionale dhe të shpejta, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, pas kallëzimit të shtetases Emanilda Rama 26 vjeçe, rreth orës 23:00 të datës 23.07.2025, se babai i saj, Anesti Rama 56 vjeç, kishte humbur jetën aksidentalisht, në banesën e tyre, në fshatin Frashër, u finalizua operacioni “Inskenimi”.
Shërbimet e Policisë, gjatë deponimit të 26-vjeçares dhe gjatë veprimeve të para hetimore, kanë krijuar dyshim se humbja e jetës së 56-vjeçarit nuk ishte aksidentale dhe për këtë arsye kanë vijuar hetimet e thelluara.
LEXO EDHE: Dy adoleshentët u futën në Lagunën e Patokut për t’u larë në det, mbytet 16-vjeçari!
Gjatë këtyre veprimeve të kryera në koordinim me Prokurorinë e Fierit, ka rezultuar se shtetasja E. R. ka vrarë babanë e saj, shtetasin A. R., për motive të dobëta, me mjet strangulues (mbytur me tel).
Më pas, 26-vjeçarja, dyshohet se në bashkëpunim me nënën e saj, njëkohësisht bashkëshorte e shtetasit A. R., shtetasen V. R., 53 vjeçe, kanë tentuar të pengojnë zbulimin e së vërtetës, duke pastruar trupin e 56-vjeçarit. Pas këtyre veprimeve, shtetasja E. R. ka njoftuar Policinë.
53-vjeçarja është aktualisht e shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ku po kryhen veprime të thelluara hetimore për të përcatuar shkallën e përgjegjësisë së saj në lidhje me këtë rast. Në përfundim të veprimeve hetimore do të ketë njoftim shtesë për përgjegjësinë penale të kësaj shtetaseje.
Gjithashtu, vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim dokumentimin me prova ligjore të të gjitha rrethanave të këtij rasti.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.