Një studim i ri i publikuar në revistën “Pharmaceutical Research” ka zbuluar se krimbat planarianë – të njohur për aftësinë e tyre të jashtëzakonshme për t’u rigjeneruar – mund të përdoren si alternativë ndaj minjve të laboratorit në kërkimin shkencor për trajtimin e çrregullimeve mendore si skizofrenia, epilepsia dhe varësia nga droga.
Studiuesit nga Universiteti i Reading në Mbretërinë e Bashkuar testuan efektin e ilaçit haloperidol, një antipsikotik i përdorur për trajtimin e skizofrenisë, tek krimbat planarianë.
Rezultatet treguan një ulje të ndjeshme të aktivitetit të tyre fizik, një reagim i ngjashëm me atë që shfaqin minjtë kur u jepet i njëjti ilaç.
Planarianët janë krimba të vegjël që jetojnë në ujëra të ëmbla si liqenet dhe përrenjtë, dhe shpesh quhen “të pavdekshëm” për shkak të aftësisë për të rigjeneruar çdo pjesë të trupit, përfshirë edhe trurin.
Ata janë përdorur edhe më herët në eksperimente për të studiuar efektet e drogave dhe simptomat e abstinencës.
Profesor Vitaliy Khutoryanskiy, udhëheqësi i studimit, tha se përdorimi i tyre mund të jetë një hap i rëndësishëm përpara në kërkimin shkencor:
Planarianët tregojnë reagime të ngjashme me gjitarët ndaj barnave psikiatrike, por përfshijnë shumë më pak shqetësime etike.
Vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, sipas të dhënave të vitit 2023, mbi 1 milion brejtës janë përdorur për eksperimente, përfshirë 882 mijë minj dhe mbi 144 mijë minj të vegjël.
Studiuesit besojnë se zëvendësimi i tyre me planarianë do të reduktojë ndjeshëm numrin e kafshëve të përdorura në laboratorë dhe njëkohësisht do të ndihmojë në zhvillimin e trajtimeve të reja për sëmundje mendore serioze.