Një teori në rritje po tërheq vëmendjen e komunitetit shkencor: konsumi i glutenit mund të ndikojë negativisht në shëndetin mendor, madje të lidhet me çrregullime si ADHD, depresioni, ankthi e deri te skizofrenia.
Dina L. Kelly, profesore e psikiatrisë në Universitetin e Maryland-it, ka kaluar mbi 17 vite në kërkime për lidhjen mes ushqimit dhe çrregullimeve mendore.
Ajo thotë se ka qenë skeptike në fillim, por rezultatet që pa në terren e bindën ndryshe.
Një nga studimet e saj tregoi se gjatë mungesës së grurit në Luftën e Dytë Botërore, rastet e skizofrenisë ranë ndjeshëm.
Po ashtu, një vizitë në Papua Guinenë e Re – ku dieta tradicionale nuk përfshin gluten – tregoi mungesë të rasteve me këtë çrregullim.
Analizat e saj të mëvonshme zbuluan se shumë persona me skizofreni kishin nivele të larta antitrupash kundër glutenit, çka tregon se sistemi imunitar e percepton këtë proteinë si një kërcënim, duke gjeneruar inflamacion që ndikon në tru.
Studime të tjera sugjerojnë lidhje mes glutenit dhe çrregullimeve të tjera si depresioni, ankthi dhe ADHD.
Në shumë raste, njerëzit që ndalojnë konsumimin e glutenit raportojnë përmirësim të simptomave, veçanërisht tek ata që vuajnë nga ndjeshmëria ndaj glutenit, qoftë ajo me bazë celiake apo jo.
Ekspertët theksojnë se ende ka shumë për të zbuluar, por ndikimi i dietës në shëndetin mendor po bëhet një fushë e rëndësishme për kërkimin e ardhshëm.
Për ata që përballen me simptoma të pashpjegueshme mendore, heqja dorë nga gluteni mund të jetë një hap që ia vlen të provohet – gjithmonë nën kujdesin e një mjeku.