Një gjykatë në Prishtinë dënoi në mungesë me 15 vjet burg për krime lufte kundër popullsisë civile një ish-pjesëtar të Sigurimit Shtetëror të Serbisë. Në një njoftim për media, Gjykata Themelore në Prishtinë tha se e gjeti fajtor të pandehurin, të cilin e identifikoi vetëm me inicialet S.F., për kryerjen e veprës penale krime lufte kundër popullsisë civile.
Prokuroria e akuzoi se bashkë me dy zyrtarë të tjerë të paidentifikuar, kishin marrë me forcë në veturën e tyre një mjek me inicialet H.SH në vitin 1998 në rrugën Drenas-Prishtinë dhe e kishin dërguar në ndërtesën e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë, ku e kishin rrahur e torturuar. Nga ajo ditë, për fatin e tij nuk dihet asgjë, sipas aktakuzës. S.F., ka të drejtë të ankohet ndaj aktgjykimit të Themelores në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
Gjykimi në mungesë mundësohet në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të bëra në vitin 2022. Por, gjykime të tilla mund të bëhen vetëm me kushtin që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për të siguruar praninë e të akuzuarit. Ky Kod përcakton se personat që gjykohen në mungesë kanë të drejtë për një rigjykim pa kushte, kur të arrestohen.
Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, që nga hyrja në fuqi e ligjit për gjykimet në mungesë deri në shkurt të vitit 2025, janë ngritur 50 aktakuza në mungesë, kundër 73 anëtarëve të forcave serbe, që dyshohen se kanë kryer krime lufte në Kosovë.
Vendimi i parë në mungesë është dhënë dhjetorin e vitit të kaluar në rastin e Çedomir Aksiçit, i cili u dënua me 15 vjet burg për krime lufte kundër popullatës civile. Gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-’99 u vranë mbi 13 mijë civilë, kryesisht shqiptarë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën. Rreth 1 mijë e 600 persona, kryesisht shqiptarë, ende rezultojnë të zhdukur. Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë akuzuar ose dënuar disa persona për krime lufte.