Aktualitet

Krimi në familjen në Roskovec, flet e afërmja: Ish-të fejuarën e kërcënonte me armë, ishte në arrest shtëpie, por dilte gjithmonë!

Një ngjarje e rëndë me një viktimë dhe një të plagosur ka ndodhur mëngjesin e kësaj të premteje në fshatin Vidhisht, në Roskovec.

Një 35-vjeçar, i njohur në fshat me emrin Nertil Buzi, shkoi në banesën e ish-të fejuarës së tij, ku qëlloi me armë zjarri ndaj familjarëve të saj. Si pasojë mbeti i vrarë ish-vjehrri i tij, 55-vjeçari Arben Plaka, ndërsa ish-vjehrra mbeti e plagosur. Pas ngjarjes, autori mori me forcë ish-të fejuarën dhe u largua nga vendi i ngjarjes.

“I trembemi edhe një ngjarjeje tjetër. Ka marrë vajzën dhe se ku e ka çuar nuk e dimë. Ai ka qenë i dhunshëm. Ata kanë bashkëjetuar prej disa kohësh, por kishin kohë të ndarë. Edhe në Tiranë kishte dalë me pistoletë. Vajza ka qenë studente atje. Ca kohë ka qenë edhe në burg, pastaj në arrest shtëpie, por dilte gjithmonë nga shtëpia”, u shpreh një nga banoret e fshatit.

“Dëgjuam një zhurmë, që bërtisnin brenda. Ai thoshte: “Hajdeni se do t’ju vras të gjithëve.” Pastaj njoftuam policinë dhe ajo erdhi. Ai ishte i armatosur. Doli nga mbrapa shtëpisë, nga dritarja. Kishte lënë makinën. Mori edhe vajzën dhe iku. Është arrestuar tri herë dhe më pas ka dalë. Vajti në Tiranë për armë, e futën brenda dhe e nxorën pas një muaji. Këtu ishte në arrest shtëpie, sepse kërcënonte. I thoshte vajzës: “Ti nuk e bën jetën pa mua. Unë do t’ju vras të gjithëve.” Vrasja ishte e paramenduar. Kur vajta brenda, i gjeta të dy të shtrirë”, u shpreh vëllai i viktimës në Roskovec.

Njoftimi i policisë

Rreth orës 06:00, në fshatin Vidhisht, Roskovec, dyshohet se shtetasi R. B., 35 vjeç, ka vrarë me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, shtetasin K. P., 58 vjeç, si dhe ka plagosur ish-vjehrrën e tij, shtetasen B. P., rreth 55 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, kanë ngritur pika kontrolli dhe janë vënë në ndjekje për kapjen e autorit të dyshuar. Vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se, pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i ngjarjes me automjet, së bashku me ish-bashkëshorten e tij, shtetasen R. P., duke marrë me vete edhe armën e gjahut.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.