Kris Jenner, e njohur si “momager” dhe ylli i kopertinës së “Vogue Arabia” për shtatorin, ka zbuluar se ka kryer një facelift të ri, 15 vite pas ndërhyrjes së parë.
Në një intervistë të publikuar më 26 gusht nga revista, 69-vjeçarja tha se ky ishte një vendim personal për të ruajtur pamjen dhe për t’u ndjerë mirë me veten.
Vendosa ta bëj këtë facelift sepse dua të jem versioni më i mirë i vetes, dhe kjo më bën të lumtur
-u shpreh Jenner, e cila nëntorin e ardhshëm feston 70-vjetorin.
Duke folur për plakjen, ajo shtoi:
Vetëm sepse plakesh, nuk do të thotë që duhet të heqësh dorë nga vetja. Nëse ndihesh rehat me lëkurën tënde dhe dëshiron të plakesh natyrshëm, mos bëj asgjë. Por për mua, kjo është mënyra ime e plakjes me dinjitet.
Ndryshimet në pamjen e saj kishin tërhequr vëmendjen e fansave që në fillim të këtij viti, pas postimeve në Instagram dhe paraqitjeve publike në Paris e Los Angeles.
Jenner tregoi se gjatë ditës së operacionit ishte e shoqëruar nga vajza Kylie, ndërsa Kim Kardashian e mbikëqyri gjithçka përmes FaceTime.
Ajo theksoi se ndarja e këtyre eksperiencave është një mënyrë për të inspiruar njerëzit që nuk ndihen mirë me veten dhe që kërkojnë të rikthejnë besimin personal.