Ish-trajneri i Milanit, Fabio Kapelo ka folur për “La Gazzetta dello Sport”, ku është ndalur te Interi dhe ndeshjet që zhvilluan në Botërorin e Klubeve. Ai gjithashtu komentoi edhe marrëdhënien tashmë të krisur mes kapitenit Lautaro Martinez dhe mesfushorit Hakan Çalhanoglu. “Aspektet pozitive? Pashë disa lojtarë që dhanë gjithçka, si Barela ose Lautaro, por edhe një ndryshim në mentalitet. Diçka ndryshe.
Po i referohem lojtarëve të rinj si Pio Ezposito ose Karboni, por edhe Suçiç. Më interesantët nga të rinjtë. Edhe nëse këto ndeshje nuk kanë shumë rëndësi: nxehtësia e lagësht pati një ndikim të madh dhe ishte vendimtare. Brazilianët, për shembull, ishin më të mësuar me të. Kushtet e motit ua shtuan lodhjen”.
Cili është mendimi juaj për rastin Lautaro-Çalhanoglu?
“Këto dinamika duhet të zgjidhen në dhomën e zhveshjes. Lautaro foli si kapiten, siç ka të drejtë, por kur shënjestron një shok skuadre që nuk është i pranishëm në atë moment, atëherë sipas mendimit tim nuk është mirë. Problemet duhet të zgjidhen gjithmonë ballë për ballë. Është e vetmja zgjidhje”.
A mund të zëvendësohet dikush si Hakan?
“Ai është Rodri i Interit. Një figurë e rëndësishme, një lojtar i domosdoshëm për lojën e zikaltërve. Ai është pjesë e atyre shtyllave kyçe që e bëjnë ekipin të ecë përpara. Është logjike që nuk do të jetë e lehtë, nëse është e nevojshme, të zëvendësohet dikush si ai.”